Veliaj në Këshillin Konsultativ: Po rindërtojmë të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti

schedule16:45 - 26 Shtator, 2019

schedule 16:45 - 26 Shtator, 2019

Të gjitha banesat dëmtuara nga tërmeti i së shtunës do të rindërtohen. Ky ishte zotimi I kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit Konsultativ të qeverisjes qendrore dhe vendore. Veliaj gjithashtu pa nga afër gjatë së enjtes edhe disa nga banesat e dëmtuara nga tërmeti në zonën e Vaqarrit.

Të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti i së shtunës do të rindërtohen, ndërsa të tjerat me dëme më të vogla do të dëmshpërblehen. Këtë e bëri të ditur Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mbledhjen e Këshillit konsultativ të qeverisjes qendrore dhe vendore

“Në Bashkinë e Tiranës kemi çuar mbrëmë, në mes të natës, sipas afatit të lënë nga kryeministri, të gjithë inventarin e banesave të dëmtuara. Jam në dijeni që edhe bashkitë e tjera të prekura, nga Durrësi, Elbasani, Kavaja, dhe disa bashki të tjera më të vogla, kanë proceduar dhe kanë bërë edhe mbledhjet e Këshillit Bashkiak për të akorduar fondet e emergjencës. Besoj, në kohë rekord, do të disbursojmë aty ku dëmet janë minimale dhe do të rindërtojmë nga fillimi aty ku dëmet kanë qenë më të mëdha”.

Veliaj u shpreh se vetëm në Tiranë janë rreth 1200 banesa të dëmtuara nga tërmeti.

“Shumica janë të pjesshme, kryesisht banesa në zonat rurale, të vjetra, me shtesa. Për ata që me vite të tëra na janë bërë gangrenë kulla, kulla kulla. Të gjitha ndërtimet, kryesisht pa leje, të improvizuara ose shtëpi të vjetra të kohës së komunizmit të bëra me punë vullnetare, me parafabrikate, shto kafaze e ballkone, çaje ballkonin e bëje dritare, çaje dritaren e bëje derë, dolën problematike dhe herët ose vonë do të duhet të përballemi me këtë papërgjegjshmëri”.

Në Këshillin Konsultativ të qeverisjes qendrore dhe vendore, Veliaj tha se bashkitë e vendit duhet të shfrytëzojnë solidaritetin ndërkombëtar pas tërmetit për të bërë një inventar të nevojave që kanë.

Gjatë së enjtes kryebashkiaku Veliaj pa nga afër edhe problemet e shkaktuara nga tërmeti në Vaqarr, ku tashmë ka nisur puna për rindërtimine plotë të shtëpive.  /ABC News Albania 24/7

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!