Rusia ka bërë të ditur se ka evakuuar personelin e ambasadës së saj në Sudan derisa vazhdojnë përleshjet midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).
“Për shkak të rreziqeve të larta të sigurisë në kontekstin e përleshjeve të vazhdueshme në Sudan, nga Porti Sudani u evakuuan disa punonjës të ambasadës ruse të transferuar nga Khartoumi, si dhe shtetas rusë dhe anëtarë të familjes aplikuan për ndihmë për t’u kthyer në atdheun e tyre”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë.
Ministria ruse tha se personeli i evakuuar mbërriti në bazën ajrore Chkalovsky pranë kryeqytetit Moskë me një fluturim special.
“Puna e Konsullatës Ruse në Port Sudan vazhdon si zakonisht”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ushtria e Sudanit dhe RSF-ja ndanë pushtetin pas heqjes të sundimtarit Omar al-Bashir në vitin 2019, por palët u përplasën për një plan për integrimin e forcave të RSF-së gjatë një tranzicioni drejt demokracisë, duke shkaktuar armiqësi më 15 prill.