Byroja përjashton me 10 ditë 6 nga 7 deputetët e opozitës

schedule11:37 - 21 Dhjetor, 2017

schedule 11:37 - 21 Dhjetor, 2017

Byroja e Kuvendit dënoi me 10 ditë përjashtim nga jeta parlamentare 6 deputetë të opozitës, si nga radhët e PD-së, ashtu edhe të LSI-së, të përfshirë në incidentet e seancës së fundit plenare. Ndërsa me 5 ditë përjashtim u dënuan opozitarja Kejti Mehmetaj dhe socialisti Bujar Çela. Ky i fundit kishte bërë autokritikë duke i vetëkërkuar Kuvendit që të ndëshkohej për përleshjen me kolegen e LSI-së, e cila i kishte marrë kartën elektronike që mundëson votimin.

Byroja dha dënimin më të rëndë, për 6 nga 7 deputetët e opozitës për të cilët Partia Socialiste kishte kërkuar përjashtimin nga Parlamenti, për shkak të përfshirjes së tyre në incidentet e seancës së fundit. Ata janë Flamur Noka, Bardh Spahia, Endri Hasa, Ervin Salianji, Monika Kryemadhi dhe Endrit Braimllari.

Një dënim më të lehtë, Byroja dha për lësëisten Kejti Mehmetaj dhe socialistin Bujar Çela, të cilët u përleshën pasi këtij të fundit i mori kartën elektronike që mundëson votimin. Përmes një shkrese dërguar Kuvendit, Çela e kishte pranuar fajësinë për sjelljen e pahijshme dhe kishte kërkuar që të dënohej.

Në mbledhjen që u zhvillua me dyer të mbyllura, disa pamje amatore iu shpërndanë medias nga njerëz të opozitës që ishin prezentë në sallë. Të gjithë deputetët kanë cituar formulën e betimit, si për t’I rikujtuar Byrosë që veprimet e tyre në sallë plenare, ishin vetëm një respektim i angazhimit për të mbrojtur Kushtetutën.

Demokratët theksuan se ata do të vijojnë përpjekjen e tyre për të mbrojtur Kushtetutën e vendit, që sipas PD-së u cënua nga mazhoranca me zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme.

Një qëndrim të ngjashmë me PD mbajti edhe LSI. Këto masa ndëshkimore të vendosura nga Byroja, do të nisin aplikimin me fillimin e sesionit të ri parlamentar, më 15 janar.

 

Bushati: Deputetët e opozitës nuk shfaqën asnjë pendesë

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, pas mbledhjes së Byrosë së Kuvendit njoftoi median se “përjashtimi fillon e bëhet efektiv me datë 15 janar kur fillon legjislatura e re.”

“Janë marrë masa 10 ditë përjashtim nga seancat dhe komisionet për 6 nga deputetët dhe nga 5 ditë për një deputete zonjë (Kejdi Mehmetaj e LSI) dhe Bujar Çela të Partisë Socialiste. Kjo ishte një situatë e krijuar mes të dyve, aq më tepër që dhe zoti Çela reagoi në mënyrë pozitive, e pranoi se mund të ketë mbireaguar fizikisht”, tha Bushati, i cili shtoi se deputetët e tjerë nuk kishin shfaqur në asnjë moment pendesë për aktet në Kuvend.

Paloka: Të vendosur për të mbrojtur Kushtetutën

“Ne u larguam para se të jepej vendimi, sepse vendimi është marrë që në njoftim. Do merret vendimi më i rëndë thuhej…”, kështu u shpreh demokrati Edi Paloka, pas daljes nga mbledhja e Byrosë së Kuvendit, ku pritet të jepet vendimi për 7 deputetë të opozitës, për përjashtimin ose jo me 10 ditë nga punimet e Kuvendit.

Ai i konsideroi akuzat e PS absurde dhe u shpreh se opozita është e vendosur për të mbrojtur Kushtetutën.

“Ne të gjithë jemi betuar për të mbrojtur Kushtetutën dhe interesat e shqiptarëve dhe ajo që ndodhi të hënën ishte një shkelje flagrante nga qeveria dhe mazoranca e Kushtetutës. Ne bëmë maksimumin e mundshëm për të mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta bëjmë detyrën tonë dhe të jemi në mbrojtje të Kushtetutës”.

Paloka tha më tej se “ky parlament nuk ka parë realisht asgjë akoma”

Nisi me debate mbledhja e Byrosë së Kuvendit

Pati jo pak debate mbledhja e Byrosë së Kuvendit ku u diskutua  dhe u pranua kërkesa e PS për përjashtimin e 7 deputetëve të opozitës, për akte në shkelje të rregullores në seancën e zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme.

Deputetët për të cilët u miratua përjashtimi janë tre të LSI-së, Monika Kryemadhi, Kejdi Mehmetaj dhe Endrit Brahimllari, si dhe katër të PD-së,  Flamur Noka, Bardh Spahia, Endri Hasa dhe Ervin Salianji. Nderkohe byroja vendosi qe per 5 dite te perjashtohet edhe deputeti i PS Bujar Çela, i cili gjatë seancës së të henes ka qelluar mbi deputeten e LSI-së Kejdi Mehmetaj, në një moment kur kjo e fundit  siç pohon vetë Çelaj në një letër të bërë publike dje , ka tentuar që t’i heqë të drejtën e votes duke i marre karten e votimit.

Opozita kërkoi që seanca të bëhej me dyer të hapura, por u kundërshtua nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Para se të bëjnë mbrojtjen secili nga deputetët lexoi paraprakisht formulën e betimit, për të evidentuar se në detyrën e tyre kanë prioritet mbrojtjen e interesave të qytetarit.

Gjatë paraqitjes së saj, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi është pyetur nga deputetët socialistë, nëse akti i saj i gjuajtjes me çizme është shkelje e rregullores. Mësohet se si përgjigje, znj.Kryemadhi ka kujtuar funksionin si përfaqësuese e qytetarëve dhe ka lexuar formulën e betimit të deputetit./abcnews.al