Vidhnin makina në Maqedoninë e Veriut dhe i shisnin për pjesë këmbimi në Shqipëri, 4 të arrestuar

schedule11:02 - 27 Korrik, 2023

schedule 11:02 - 27 Korrik, 2023

Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës pasi akuzohen për trafik të makinave të vjedhura në Mqedoninë e Veriut. Në kuadër të operacionit të koduar “Passing”, është bërë i mundur zbulimi i grupit që trafikonin nëpërmjet kufirit të gjelbër me Maqedoninë e Veriut, mjete motorike të vjedhura, të cilat më pas i çmontonin dhe i shisnin për pjesë këmbimi në Shqipëri.

Si rezultat i këtij hetimi është bërë i mundur arrestimi i një 21 vjeçari, banues në fshatin Rrajcë, Librazhd, një 44 vjeçar, banues në Strugë, Maqedoni e Veriutnjë 19 vjeçar dhe 23 vjeçar, banues në fshatin Radokal, Pogradec.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se disa shtetas trafikonin mjete motorike nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, të cilat më pas i çmontonin dhe i shisnin për pjesë këmbimi në vendin tonë, shërbimet e Policisë organizuan punën me qëllim lokalizimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të dyshuar që ushtronin këtë veprimtari kriminale.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se shtetasit e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi vidhnin mjete motorike në Maqedoninë e Veriut, i dislokonin ato në zonën e Strugës dhe më pas nëpërmjet kufirit të gjelbër, në zonën e fshatrave Rrajcë-Sutaj, i kalonin në territorin shqiptar dhe i çmontonin në qytetet e Elbasanit ose Tiranës, me qëllim shitjen e tyre si pjesë këmbimi.

Vijojnë hetimet për të kryer dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjesisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!