Garë tepër e fortë për titullin e Golshënuesit 2017

schedule19:09 - 20 Dhjetor, 2017

schedule 19:09 - 20 Dhjetor, 2017

Yjet më të mëdhenj të Europës janë në garë për titullin e golshënuesit më të mirë të vitit 2017. Një tjetër duel mes Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos.

Topi i Artë dhe Këpuca e Artë janë dorëzuar, po ashtu si çmimet e tjera.
Gjithsesi, këta të gjithë kishin të bënin me sezonin 2016-2017, ndërsa një tjetër garë është në etapën e fundit, ajo për golshënuesin më të mirë të vitit kalendarik 2017.
Për të fituar atë janë në luftë emrat më të mëdhenj të Europës, ndërsa kjo e këtij viti duket një garë e pashoqe, pasi nuk besohet që pretendentët të kenë qenë ndonjëherë kaq pranë.
Mesi, Ronaldo, Levandovski, Kavani dhe Kejn janë ata që mund të fitojnë.
Lionel Mesi ka shënuar 53 gola këtë vit, shumicën dërrmuese për Barcelonën, dhe për fat të keq ka goditur edhe shumë shtylla.
Në të njëjtin nivel është rivali i tij më i madh, fituesi i Topit të Artë dhe Lojtari më i mirë i vitit sipas FIFA-s, Kristiano Ronaldo.
Ylli i Realit ka shënuar po 53 gola, edhe ai pjesën më të madhe me klubin, por jo pak me kombëtaren e tij të Portugalisë.
La Liga ka edhe një javë, atë që do të vendosë përballë Ronaldon e Mesin në “Bernabeu”.
“El Klasiko” Real-Barça në Madrid favorizon pa dyshim portugezin që është vendas.
Edhe më e jashtëzakonshme bëhet gara kur mëson se po 53 gola ka Robert Levandovski, i shkëlqyer me Bajernin dhe Poloninë.
Minusi i vetëm i polakut është që ai nuk ka më ndeshje në dispozicion, pasi Bundesliga e ka filluar tashmë pushimin dimëror.
Me 52 gola, shumë pranë treshes së podiumit të momentit është Edinson Kavani.
Pavarësisht nga mbërritja e Nejmarit dhe Mbapesë, uruguajani ka vazhduar të shënojë shumë tek Paris SG.
Kavani ka po ashtu një ndeshje në dispozicion për të dalë i pari.
Gjithsesi, konkurrenca ka edhe një sulmues tjetër që po pret disi “në hije”.
Ky është Harri Kejn, ylli i Totenhemit dhe i Anglisë.
Kejn ka shënuar 50 gola këtë vit, pra është 3 gola prapa Mesin, Ronaldos e Nejmarit, veçse, Premier Liga i bën një favor, pasi i jep në dispozicion dy ndeshje për të përmbysur renditjen.
Mbetet të shihet nëse do të ketë mundësi Kejn të shënojë 4 gola në dy ndeshjet e mbetura deri në fund të vitit./abcnews