Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u ka bërë thirrje banorëve në Durrës, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti që të zhvendosen drejt qendrave të pritjes. Ministri Lleshaj, vizitoi disa prej familjeve në Shijak që vazhdojnë të qëndrojnë në banesa që u rrezikojnë jetën.
Shkoi për t’u dorëzuar disa ndihma që kanë mbledhur vullnetarisht nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, por pa që më shumë u nevojitet largimi i menjëhershëm nga banesa.
Këto objekte nuk janë më të sigurta. Është vetëm njëra prej shumë të tillave që janë prekur nga tërmeti i 21 shtatorit në zonën Shijak-Maminas. Ministri i brendShëm Lleshaj i kërkoi që të evakuohen përkohësisht në qendrat e përkohshme pritëse dhe Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës.
“Unë e di që kanë probleme, kanë bagëti, kanë materiale por më e rëndësishmja nga të gjitha është të garantojmë sigurinë e këtyre qytetarëve. Kështu që u bëj thirrje të gjithë atyre qytetarëve që janë në kushte të ngjashme me këtë familje këtu, të bashkëpunojnë për t’u evakuuar drejt qendrave të pritjes që kemi ndërtuar”!
Ndër zonat më të dëmtuara nga tërmeti në Bashkinë Shijak janë fshatrat Bodinak, Karpen, Karreç dhe Bilalas./ABc News Albania 24/7