Vrasja e George Floyd, Nju Jork do të paguajë 13 milionë dollarë  dëmshpërblim për protestuesit  

schedule14:06 - 20 Korrik, 2023

schedule 14:06 - 20 Korrik, 2023

Nju Jork ka rënë dakord të paguajë më shumë se 13 milionë dollarë për të zgjidhur një padi për të drejtat civile të ngritur në emër të rreth 1,300 njerëzve. Bëhet fjalë për personat që u arrestuan ose u rrahën nga policia gjatë protestave kundër diskriminimit racor që përfshiu qytetin amerikan në verën e vitit 2020.

Padia u fokusua në 18 nga protestat e shumta që shpërthyen në Nju Jork pas vrasjes nga policia të George Floyd në Minneapolis. Me disa përjashtime, personat e arrestuar ose të rrahur nga oficerët e policisë do të marrin 9,950 dollarë si kompensim secili.

Me marrëveshjen, qyteti shmang përfshirjen në procese gjyqësore që do të ishin jashtëzakonisht të shtrenjta financiarisht dhe gjithashtu do të kishin një kosto të lartë politike.

Zhvillimi vjen ndërsa disa qytete të tjera të SHBA-së po negociojnë zgjidhje të ngjashme me protestuesit, të cilët kanë protestuar për të denoncuar brutalitetin racist të policisë pas vdekjes së Floyd. Ishte një periudhë trazirash që rezultoi me arrestimin e 10,000 personave brenda pak ditësh.

Avokatët nga Shoqata Kombëtare e Avokatëve, e cila përfaqësonte paditësit në Nju Jork, akuzuan udhëheqjen e policisë së Nju Jorkut për privimin e protestuesve nga të drejtat e tyre përmes një fushate “të koordinuar” dhune dhe arrestimesh të paligjshme.

Gjatë betejës ligjore, e cila filloi më shumë se dy vjet më parë, avokatët mbrojtës të qytetit argumentuan se policia po vepronte në përgjigje të një situate kaotike dhe të paprecedentë.

Ata madje përmendën incidente në të cilat automjetet e policisë u dogjën dhe policët u sulmuan me gurë dhe shishe plastike.

Protestuesit e arrestuar me akuza të tilla si shkelja dhe shkatërrimi i pronës, sulmi ndaj një oficeri policie, zjarrvënie ose armëmbajtje do të përjashtohen nga marrëveshja.

Ata që shihen në video që pengojnë policinë të bëjë arrestime gjithashtu nuk mund të kompensohen.

/abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!