Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se një ushtar amerikan kaloi me dëshirë kufirin e fortifikuar midis Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut të martën dhe po mbahet në paraburgim nga autoritetet në Korenë e Veriut. Incidenti vjen mes tensioneve në rritje midis Uashingtonit dhe Phenianit për programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Nuk ka patur shkëmbim të shtënash me armë në qytetin kufitar të Panmunjomit, ku tensionet janë të larta dhe ushtarët e dy Koreve bëjnë roje përballë njëri-tjetrit.
Në Pentagon, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin u pyet të martën për njoftimet mbi kalimin e ushtarit amerikan në Korenë e Veriut.
“Një nga ushtarët tanë të dislokuar atje, me dashje dhe pa autorizim, kaloi vijën e demarkacionit ushtarak. Ne besojmë se ai është ndaluar në Korenë e Veriut. Ne jemi duke hetuar dhe ndjekur nga afër situatën. Jemi duke punuar për të njoftuar të afërmit e ushtarit mbi angazhimin tonë në lidhje me këtë incident. Për mua detyrë kryesore është mirëqenia e trupave tona”, tha ai.
Faktet nuk janë ende të qarta lidhur me këtë rast, por ka një histori të ushtarëve amerikanë që dezertojnë në Korenë e Veriut, thotë Jean Lee, e cila ndjek zhvillimet në Korenë e Veriut dhe është drejtuese e emisionit “Lazarus Heist” që transmetohet në internet.
“Katër ushtarë amerikanë dezertuan në Korenë e Veriut në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970. Për arsye të ndryshme ata ishiun të pakënaqur me shërbimin e tyre në Korenë e Jugut dhe vendosën se do të ishte më mirë të shkonin në Korenë e Veriut se sa të ktheheshin në vendin e tyre”, thotë ajo.
Departamenti i Shtetit tha se zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes kanë qenë në kontakt me zyrtarë nga Koreja e Veriut për të zgjidhur situatën.
Incidenti vjen në një kohë tensionesh në rritje mes Koresë së Veriut, Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, thotë Eric Gomez nga Instituti “Cato”, studiues i çështjeve të kontrollit të armëve bërthamore në Azinë Lindore.
“Këtë javë përpara se të ndodhte ky incident, lajmi kryesor ishte dislokimi nga Shtetet e Bashkuara i një nëndetëseje me raketa balistike në portin e Busanit, në Korenë e Jugut, për herë të parë që nga fillimi i viteve 1980”, thotë ai.
Shtetet e Bashkuara dërguan nëndetësen e pajisur me armë bërthamore në Korenë e Jugut pas provave të vazhdueshme me raketa nga Koreja e Veriut, duke përfshirë dy të mërkurën./VOA