26 vite nga vrasja e mbretit të modës, Gianni Versace

schedule14:51 - 15 Korrik, 2023

schedule 14:51 - 15 Korrik, 2023

Sot bëhen 26 vjet që kur Gianni Versace u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Miami.

Motra e tij Donatella, me një postim emocionues në rrjetet sociale, ka dashur të nderojë kujtimin e mbretit të modës, i cili siç tha ajo nuk i largohet kurrë nga mendja.

Në veçanti, Donatella Versace publikoi në llogarinë e saj personale në Instagram tre foto së bashku dhe shkroi një mesazh prekës:

“Gianni sot dhe çdo ditë mendoj për kohën që kam pasur fatin të kaloj me ty. Kjo duket si dje”.

Ishte mëngjesi i 15 korrikut 1997, kur mbreti i modës po kthehej në shtëpi pasi kishte shkuar për të marrë kafen. Ai po ecte i shkujdesur pasi nuk e kishte vënë re të riun që e ndiqte. Kur ka shkuar për të hapur derën e përparme, autori i sulmit vrasës ka ngritur armën dhe ka qëlluar Gianni Versace në kokë me dy plumba. Vdekja e Gianni tronditi botën dhe e zhyti botën e modës në zi.

Vrasësi i stilistit legjendar të modës, Andrew Cunanan, vrau veten tetë ditë më vonë me të njëjtën armë që përdori për të vrarë Versace. Trupi i tij u gjet në një dhomë në katin e dytë në një varkë. Një portier dëgjoi të shtënat dhe thirri policinë. Një njësi speciale SWAT mbërriti dhe hodhi gaz lotsjellës në dhomë përpara se ta sulmonte atë.

Dymbëdhjetë orë më vonë ata njoftuan vdekjen e të arratisurit Andrew Cunanan. Ai nuk kishte lënë asnjë shënim vetëvrasjeje dhe motivi i vrasjes së Versace nuk u bë kurrë i ditur./abcnews.al