Erling Braut Haaland është në qendër të vëmendjes. Tre golat e shënuar ndaj Genk me fanellën e Salzburg në debutimin e tij në Champions League kanë bërë që të nisin menjëherë zërat e merkatos. Sulmuesi norvegjez edhe më parë ka qenë në radarët e Manchester United.
Trajneri Ole Gunar Solskjaer e njeh mirë, pasi e ka pasur nën urdhra 19-vjeçarin kur drejtonte ekipin e Molde. Në ndeshjen kundër Genk pati edhe skaut në Austri për të parë sulmuesin. ndërkohë që edhe i ati e shikon si mjaft interesante transferimin e Haaland në Angli.
“Mendoj se shumica e lojtarëve ëndërrojnë të luajnë në Premier League. Është kampionati që merr vëmendjen më të madhe dhe ka ekipe shumë të mira. Nuk ka dyshim që Premier League është tërheqëse për të”, ka deklaruar Alf-Inge, i ati i Haaland, i cili gjithashtu ka luajtur në elitën e futbollit anglez.
Gjithsesi së fundmi United është trembur dhe shkak për këtë është bërë menaxheri Mino Raiola. The Sun raporton se ai po këshillon sulmuesin për të ardhmen dhe me çështjen Paul Pogba që nuk ka marrë një zgjidhje, ai mund ta dërgojë Haaland te Barcelona ose në Itali. /abcnews.al