Kukësi theu Tiranën me rezultatin 2-1 një ditë më parë, ndërkohë që pas ndeshjes folën në emisionin “Gol pas Goli” Astrit Hafizi dhe Matko Djarmati. Shkodrani mendon se verilindorët ia dolën të ishin të suksesshëm, për shkak se ishin më lart në mesfushë.
“U duk se do ta fitonte lehtë ndeshjen Kukësi, kur shkoi 2-0. Për Tiranën ishte një humbje normale, duke qenë se kishte përballë një ekip me pretendime. Nuk ishte nga ato ndeshjet e veta. Gaboi në organizimin e lojës. Kukësi e meritoi fitoren”, u shpreh Astrit Hafizi.
Më tej ai shtoi: “E thashë para ndeshjes, që mund të zgjidhej në mesfushë. Aty ishte pika më e fortë e Kukësit. Batha dhe Hasani mendojnë më shumë për presingun”. Nga ana tjetër dha opinionin e tij edhe kroati Matko Djarmati, i cili vlerëson Kukësin për atë që bëri në 60 minutat e para. Ka kritika për Shkurtajn, që duhet të shënonte edhe golin e tretë.
“Deri në minutën e 60-të Kukësi bëri ndeshjen më të mirë të sezonit. Më pas ra. Goli i dytë ishte një kundërsulm shumë i shpejtë. Shkurtaj tregoi që është shënues shumë i mirë, por bëri edhe disa gabime që nuk janë në kalibrin e tij”, deklaroi Djarmati. /abcnews.al