Turi i Francës, Pogacar “prek” Fanelën e Verdhë

schedule11:43 - 10 Korrik, 2023

schedule 11:43 - 10 Korrik, 2023

Një sfidë e frikshme, që e hapi edhe më shumë garën për titull.

Turi i Francës pati një ngjitje mitike në etapën e tij të 9-të, pikërisht në Pui de Dom, në një etapë malore me më shumë se 180 kilometra gjatësi, dhe me maloren finale në kodrën e njohur franceze. Pas gati 4 orësh e 20 minutash, ia doli çiklisti kanadez Majkëll Uds që pati ndihmën e skuadrës dhe mposhti pikërisht pranë finishit amerikanin Mateo Jorgensen, që u detyrua të kënaqej me vendin e katërt.

Më e rëndësishme ishte gara mes dy pretendentëve kryesorë për të fituar Turin këtë vit. Tadej Pogaçar ia doli të fitonte sekonda të tjera ndaj danezit Jonas Vingegard, ndonëse ky i fundit vazhdon ta mbajë Fanelën e Verdhë të kryesuesit të garës. Ish-kampioni nga Sllovenia sulmoi në kodrën e famshme të Masivit Malor Qendror të Francës duke treguar se është më në formë sesa rivali i madh.

Pogaçar, fitues i Turit në 2020 e 2021, i mori 7 sekonda kampionit në fuqi, dhe diferenca në krye mbetet 17 sekonda në favor të Vingegardit. Sot është ditë pushimi, ndërsa etapa e 10-të do të jetë këtë të martë, me një itinerar gjysmë malor që nuk pritet të sjellë ndryshime në klasifikimin për Fanelën e Verdhë.

Fati i Turit duket se do të vendoset në Alpe dhe në etapën e kronometrit individual./ h.ll/abcnews.al