Tirana kthehet në shtëpi, bardheblutë mbyllin fazën përgatitore

schedule12:17 - 6 Korrik, 2023

schedule 12:17 - 6 Korrik, 2023

Tirana ka mbyllur me fitore fazën përgatitore në Ohër. Bardheblutë e kryeqytetit mundën në miqësoren e fundit 2-1 Strugën, skuadrën kampione të Maqedonisë së Veriut që drejtohet nga trajneri shqiptar Shpëtim Duro.

Golat e Hilës dhe Latifit i dhuruan skuadrës së Orges Shehit suksesin e parë në miqësoret e fazës përgatitore, pas dy humbjeve në dy ndeshjet e tjera kundër Dukagjinit dhe kampionëve të Kosovës, Ballkanit.

Me shijen e mirë që la kjo fitore, bardheblutë kthehen në kryeqytet, ku do të vijojnë stërvitjen në kompleksin “Skënder Halili” në prag të aventurës europiane, ku më 13 korrik do të luajnë ndeshjen e parë në turin eliminator të Konferencë Ligës.

Në të njëjtën kohë që Orges Shehi do t’i japë dorën e fundit përgatitjeve me ekipin, drejtuesit e klubit do të bëjnë të njëjtën gjë me fushatën e tyre deri tani të shkëlqyer në tregun e transferimeve.

Tirana ka afruar tetë futbollistë të rëndësishëm në skuadër. I fundit ishte ish-kapiteni Erjo Hoxhallari, ndërsa më parë me ngjyrat bardheblu ishin veshur Selmani, Kaina Nunez, Obanor, Mici, Doka dhe Jonuzi.

Me një ekip thuajse të bërë nga fillimi, Orges Shehi dhe të besuarit e tij kanë si objektiv kalimin e turit në Europë dhe me nisjen e sezonit të ri, kthimin te titulli kampion në Superligë.  / h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!