Kuotat e ulëta në sondazhe i kanë kushtuar shtrenjtë kryebashkiakut të Nju Jorkut, Bill de Blasio. Ai është detyruar të tërheqë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, në të cilat synonte të rrëzonte Donald Trump. Ky i fundit ka reaguar me ironi ndaj lajmit të largimit.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio është tërhequr nga gara presidenciale, duke i dhënë fund fushatës së nisur për të sfiduar Trump në 2020-n. De Blasio, 58 vjeç, e shpalli kandidaturën e tij në maj me parullën “Punëtorët të parët” dhe e gjeti veten në një hapësirë të mbushur me kandidatë që synojnë të rrëzojnë presidentin Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Me daljen e tij nga skena mbeten 19 demokratët që do të përpiqen të fitojnë nominimin e partisë për të garuar më pas në procesin elektoral. Kryebashkiaku, të cilit i ndalohet të kërkojë një mandat të tretë në krye të Nju Jorkut, u përpoq të formonte një profil kombëtar dhe të binte në sy në një fushë ku bëjnë pjesë edhe ish-zëvendës presidenti Joe Biden, si dhe një numër politikanësh me eksperiencë.
De Blasio kishte regjistruar një mbështetje të ulët në sondazhe dhe figura e tij ishte errësuar nga prania e senatorëve progresistë si Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi me sarkazëm ndaj lajmit. “Mos! Ky është një lajm i madh politik! Ndoshta më i madhi në histori!”, u shpreh Trump në Twitter. Ai e vazhdoi ironinë e tij duke thënë se qytetarët e Nju Jorkut ndihen të shkatërruar nga ky vendim.
Në një program televiziv, ku njoftoi tërheqjen e tij, De Blasio tha se shkak për këtë vendim janë bërë rregullat e partisë që kërkojnë një kandidat të kualifikuar për debatet televizive. Dhe në fakt, ai dështoi të kualifikohej për debatin e 12 Shtatorit ku morën pjesë 10 kandidatët kryesues për nominimin partiak./ABC News Albania 24/7