Një 47 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Lushnjës pasi është kapur me lëndë narkotike kanabis.
Në kuadër të operacionit të koduar “Delivery” është bërë i mundur ndalimi i 47 vjeçarit në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”, ndërkohë që po udhëtonte me automjetin e tij, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në qindra doza, gati për shitje.
Sekuestrohen 1000 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, që u gjetën në automjetin dhe në banesën e këtij shtetasi. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjetën edhe qindra doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e lëndës narkotike, një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza, 7 aparate celulare dhe automjeti tip “Volkswagen”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 47-vjeçari e ushtronte aktivitetin e tij kriminal në Lushnjë dhe në fshatrat e Divjakës.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. /abcnews.al