Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, tha këtë të enjte se për zgjidhjen e krizës do të ishte për një qeveri tranzitore pa kryeministrin Edi Rama dhe për zgjedhje të parakohshme. Ai ishte i ftuar këtë në rubrikën “Mbrëmje Ide” përballë gazetares Mirela Milori.
Sipas tij, Rama duhet larguar se është simbol i arnimit të sistemit politik. Shehi tha se 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman janë të saktësuara aq mirë saqë opozita nuk ka nevojë për platformë tjetër.
Mirela Milori: Nëse do të ishin platformat qeveri tranzitore pa Edi Ramën, qeveri tranzitore me Edi Ramën deri në vitin 2021-shin me këtë qeveri për të bërë zgjedhje të reja dhe të ndershme, me cilën platformë do të ishit?
Dashamir Shehi: Qeveri pa Edi Ramën. Domethënë një qeveri tranzitore dhe zgjedhje para kohe. Ditën që nuk jemi të zotë për të mbërritur këtë punë Edi Rama mund të shkojë në punë të vet dhe të rrijë sa të dojë, por Shqipëria e ka në kurriz këtë punë. Ne i bëjmë një ftesë të madhe shqiptarëve. Në qoftë se doni të vazhdoni me këtë teatër absurd që të shihni ministrat e Brendshëm të dënohen, këtu e prumë shtetin shqiptar. Po të vazhdojë kostoja e pastrimit e ndërkombëtarëve, ne do shikojmë emra më të mëdhenj. Këtu është katandis nën udhëheqjen e këtij personi. Duhet të bëjmë çfarë do lloj sakrifice që të dalim nga kjo situatë. E keni fushën e shtuar zotërinj socialistë. Kemi bërë paqe me mendjen tonë për t’iu dhënë kohën e mjaftueshme. Mirëpo ju nuk e merrni. Në qoftë se nuk e merrni do përgjigjeni përpara këtij populli, në qoftë se do e merrni me kushte do jeni të detyruar të uleni me palën që ka dalë në rrugë për të zbatuar ato kushte. Bile po të zbatohen ato kushte, unë them që nuk ka nevojë për platformë opozitare se ata e kishin saktësuar kaq mirë sikur të ishin në Tiranë për të dalë në demonstratë.
Një ditë më parë, Deustche Welle raportoi për nëntë kushte të vendosura nga Bundestagu gjerman për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Kushtet prekin rreth 9 fusha: funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; miratimin e reformës zgjedhore; implementimin e reformës zgjedhore; ndjekje penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut; ndjekje penale e akuzave për shitblerjen e votave; vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK; rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”; përparime në reformën e administratës publike; sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019./abcnews.al