Liderët e BE-së zotohen për vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën

schedule08:45 - 30 Qershor, 2023

schedule 08:45 - 30 Qershor, 2023

Samiti dyditor i liderëve të Bashkimit Evropian u dominua nga bisedimet për luftën në Ukrainë dhe forcimin e mbrojtjeve. Samiti përfundoi mesnatën e 29-30 qershorit me një deklaratë të përbashkët të liderëve të cilët përsëritën zotimet “për të ofruar mbështetje të qëndrueshme ushtarake për Ukrainën, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Liderët e bllokut prej 27 shtetesh po ashtu thanë se “jemi të gatshëm të kontribuojmë, së bashku me partnerët, për zotimet e ardhshme të sigurisë për Ukrainën, që do të ndihmojnë Ukrainën të mbrojë veten në periudhë afatgjatë, të pengojë aktet e agresionit dhe t’iu rezistojë përpjekjeve destabilizuese”.

Shumica e anëtarëve të BE-së janë po ashtu anëtarë të NATO-s dhe aleanca transatlantike pritet të kërkojë mënyra për t’i ofruar Ukrainës garanci shtesë të sigurisë, por nuk pritet t’i ofrojë Kievit anëtarësim të plotë në aleancë gjatë samitit të NATO-s më 11 dhe 12 korrik.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, iu bashkua samitit të BE-së dhe vuri në pah dobësitë e perceptuara të udhëheqjes në Rusi që u shfaqën gjatë rebelimit të 24 qershorit të liderit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, dhe mijëra mercenarëve të tij.

“Rebelimi që pamë gjatë fundjavës demonstron se ka çarje dhe ndarje brenda sistemit rus”, tha Stoltenberg. “Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të theksohet se këto janë çështje të brendshme të Rusisë”.

Duke folur përmes video-lidhjes gjatë samitit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rebelimi i dështuar nga grupi mercenar Wagner, tregon “dobësitë” e shtetit, duke shtuar se kjo do t’i ndihmojë Kievit në luftën e tij kundër pushtimit brutal të Moskës që ka nisur 15 muaj më parë.

“Ne po shohim dobësitë e tyre, për të cilat ne kishim shumë nevojë që t’i shihnim”, tha ai.

“Sa më e dobët të jetë Rusia, dhe sa më shumë që shefat e saj të kenë frikë nga rebelimet dhe kryengritjet, më shumë do të kenë frikë që të na irritojnë. Dobësitë e Rusisë do të bëjnë situatën më të sigurt për të tjerët”, shtoi ai.

Komentet e Zelenskyt vijnë në kohën kur Kievi ka deklaruar se ka bërë përparime në luftimet “e ashpra” në lindje, por po ashtu edhe në kohën kur sulmet ajrore ruse po vazhdojnë të marrin jetën e civilëve në Ukrainë.

Zelensky vazhdimisht ka kërkuar ndihmë shtesë ushtarake, veçanërisht të avionëve të avancuar luftarakë, por edhe anëtarësimin e shtetit të tij në NATO.

Para samitit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, u tha gazetarëve se “është e rëndësishme që ne të konsultohemi dhe të themi se jemi të gatshëm të qëndrojmë për një periudhë të gjatë me ndihmë humanitare dhe financiare që janë të nevojshme për Ukrainën, por edhe me armatime”.

Duke iu referuar rebelimit të Wagner-it, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi se një “[presidenti rus, Vladimir] Putin i dobët paraqet një rrezik të madh”, duke shtuar se “tani ne duhet ta shikojmë Rusinë si rrezik për shkak të paqëndrueshmërisë së brendshme”.

Që kur ka nisur kundërofensivën gjatë qershorit, Ukraina ka thënë se ka rimarrë kontrollin e disa fshatrave në juglindje të shtetit. Këto pretendime të Kievit nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur./REL