Bayern Munich e nisi me fitore fazën e grupeve në Champions League. Djemtë e Niko Kovac mposhtën 3-0 serbët e Crvena Zvezda dhe përfituan nga barazimi i Totenhemit për t’u ngjitur në vendin e parë.
Coman dhe Lewandovski shënuan dy golat e parë, ndërsa i treti u vulos nga Thomas Muller. Sulmuesi gjerman u fut në fushë në minutën e 83-të në vend të Coutinho-s dhe atij i mjaftuan tetë minuta për të gjetur rrugën e rrjetës.
Goli është gjithmonë një kënaqësi e madhe, por Muller ka vendosur një rekord mbrëmjen e kaluar. Kjo ishte ndeshja e tij e 106 në kompeticionin e më të mirëve me Bayern, duke lënë pas një emër të madh si Philipp Lahm, i cili e mbylli karrierën me 105 ndeshje të zhvilluara në Champions League.
Një moment historik për Muller, i cili bëhet në këtë mënyrë lojtari me më shumë prezenca në kompeticion më të rëndësishëm për klube për “gjigantin” gjerman. Shumë km larg Mynihut zhvillohej edhe dueli midis Shakhtar Donetsk dhe Manchester City.
Djemtë e Guardiolës nuk hasën probleme për të fituar 0-3. Mahrez, Gundogan dhe Gabriel Jesus ishin autorët e golave për kampionët e Anglisë, ndërsa ra në sy paraqitje e spanjollit Rodri. Mesfushori, i cili u transferua në verë nga Atletico Madrid për shumën e 70 milionë eurove, ishte perfekt në mbrëmjen ukrainase.
Sipas “OptaJoe”, 23-vjeçari iberik kreu 82 pasime gjatë ndeshjes dhe të gjitha ishin të sakta. Diçka e tillë nuk ndodhte në një ndeshje Championsi që prej tetorit të vitit 2017. Luhej ndeshja Juventus-Sporting Lisbona dhe Andrea Barzagli kryente 96 pasime atë mbrëmje, duke mos gabuar asnjë top! /abcnews.al