Vuçiç: Gjithmonë jemi të gatshëm për kompromise

schedule15:47 - 27 Qershor, 2023

schedule 15:47 - 27 Qershor, 2023

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u shpreh i sigurt se Perëndimi shumë shpejt do të dalë me një tekst për statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin tha se Serbia as që do të pyetet. Lideri serb shtoi se shteti i tij po “bën më të mirën për të ruajtur paqen dhe gjithmonë jemi të gatshëm për kompromise”.

“Pres shumë situata të vështira për ne në periudhën e ardhshme dhe jam pothuajse i sigurt që perëndimorët do të dalin me një ide gjeniale për të na ofruar ne tekstin e statutit, për të cilin nuk do të na pyesin fare. Prandaj, pres shumë, shumë probleme. Por, kjo nuk është diçka e re. Ka shumë nervozizëm për situatën në Ukrainë dhe disa mendojnë se ne duhet të paguajmë çmimin për mospërmbushjen e pritjeve të tyre”, tha Vuçiç në Valevë të Serbisë.

Për jetësimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurtit, draft-statuti i kryeminsitrit të Shqipërisë, Edi Ramës, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).
Për këtë çështje, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje: më 2013 dhe 2015. Gjykata Kushtetuese gjeti se marrëveshja e vitit 2015 nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, por që mund të harmonizohet përmes ligjeve.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet për Asociacionin, por Qeveria aktuale e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Vuçiç foli për statutin e Asociacionit, teksa po komentonte incidentin e fundit në Mitrovicë të Veriut, kur më 26 qershor u sulmua me mjet shpërthyes ndërtesa e kësaj komune.
Policia e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti “kryerja e veprës terroriste”.

Vuçiç përsëriti se “të gjithë në botë e dinë se kush po tenton të përshkallëzojë situatën dhe kush dëshiron luftë”. “Serbia nuk e do këtë”, theksoi ai.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje Serbisë që të mos nxisë dhunë, pas sulmit me granatë dore në objektin komunal të Mitrovicës së Veriut.

Kurti përmendi rrezikun e humbjes së jetëve, si pasojë e veprimeve të tilla.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut.

Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja./REL