Dërgimi i emigrantëve në Ruandë/ Britania do të paguajë 169 mijë paund për person

schedule13:49 - 27 Qershor, 2023

schedule 13:49 - 27 Qershor, 2023

Plani i diskutueshëm i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkues në Ruandë do të kushtojë 169,000 £ për person, megjithëse qeveria këmbënguli se do të kompensonte pjesën më të madhe të kostove.

Ndërkohë Suella Braverman, Ministrja e Brendshme nga ana tjetër, thotë se ekzaminimi i kostove tregon se qeveria do kursejë 106 mijë sterlina për çdo person që do frenohet të hyjë ilegalisht.

Janë këto shifra që kanë rindezur debatin për këtë skemë të debatueshme për rikthimin e çdo azilanti drejt Ruandës kur vjen përmes rrugëve jo legale në ishull.

Kjo është një javë mjaft e rëndësishme për ligjin e ri të emigracionit kur do bëhet edhe shqyrtimi përfundimtar në Dhomën e Lordëve të projektligjit.

Të enjten Gjykata britanike e Apelit, pritet të vendosë nëse është e ligjshme ose jo deportimi i atyre që kërkojnë azil në Britani drejt Ruandës, përfshi edhe gratë dhe fëmijët.

Nga ana tjetër, sipas The Guardian, vlerësimi i paraqitur nga Home Office, thekson se ka një konsensus akademike se “ka pak ose aspak evidencë” se ndryshimet në politikën e emigracionit frenojnë njerëzit nga largimi i vendeve të tyre dhe të kërkojnë azil.

Gjuha e njëjtë, kultura dhe lidhjet familjare pranohen se janë “faktorë të fortë” që influencojnë përzgjedhjen e destinacionit final të azilkërkuesve.

Ndërkohë, kalimet me gomone nga Franca drejt Britanisë ende vazhdojnë dhe muaji qershor, edhe për shkak të motit të ngrohtë, shënon minimalisht po aq kalime me gomone sa qershorin e vitit të kaluar.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!