Aeroplanmbajtësja më moderne amerikane ankorohet në Split të Kroacisë

schedule10:55 - 27 Qershor, 2023

schedule 10:55 - 27 Qershor, 2023

Aeroplanmbajtësja më e re dhe më moderne e marinës amerikane, Gerald R. Ford, është duke e vizituar Kroacinë me një ekip prej 4.600 marinarëve.

Ajo është ankoruar përpara portit të Splitit dhe është anija e tretë e marinës amerikane që e ka vizituar Splitin në 18 muajt e fundit.

“Prezenca ynë këtu tregon vendosmërinë dhe përkushtimin tonë për të përparuar drejt paqes dhe stabilitetit në rajon. E mirëpresim këtë mundësi që ekipet tona të shijojnë shtetin e bukur dhe ta përjetojnë kulturën kroate, por edhe të ndërtojnë marrëdhënie të fuqishme në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kroacisë, bazuar në vlerat e përbashkëta”, ka thënë admirali Erik J. Eslich, komandanti i grupit luftarak të aeroplanmbajtëses.

Gjenerata më e re e kësaj pajisjeje i ka dy reaktorë bërthamorë dhe katër boshte.

Ajo është 332 metra e gjatë, 40 metra e gjerë, ndërsa pjesa e pistës është 78 metra e gjerë. Ajo mund të lundrojë 20 vjet pa karburant dhe ndërtimi i saj kushton 12.8 miliardë dollarë.

Aeroplanmbajtësja e ka marrë emrin sipas presidentit të 38-të të Shteteve të Bashkuara, Gerald R. Ford, i cili ka shërbyer në periudhën 1974 – 1977.

Anija është nisur nga Norfollku i Shteteve të Bashkuara në maj, dhe fillimisht ka arritur në ujërat e Norvegjisë, për të arritur më vonë në Mesdhe. Nuk dihet sa gjatë do të qëndrojë anija në ujërat e Krocisë, por aty pritet të kryejnë vizita zyrtarë të ushtrisë kroate dhe zyrtarë tjerë civilë.

Përveç anijeve amerikane, portet kroate janë vizituar së fundi edhe nga anije të shteteve tjera partnere të NAT0-s, përfshirë ato të Britanisë, Francës dhe Spanjës./ REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!