Bullgaria ka vendosur të forcojë sigurinë e industrisë së armëve të vendit, thuhet në një deklaratë të qeverisë.
Vendimi vjen pas shpërthimit të së dielës në një magazinë municionesh të një kompanie private pranë qytetit juglindor Karnobat.
Në deklaratën e qeverisë bullgare thuhet se kryeministri bullgar, Nikolai Denkov, ka udhëzuar departamentet përkatëse të ministrisë së ekonomisë dhe ministrisë së brendshme që të kryejnë inspektime dhe të ndërmarrin veprime parandaluese për sigurinë e ndërmarrjeve prodhuese shtetërore dhe private të industrisë ushtarake.
Ekipe nga institucionet përkatëse do të bëjnë vizita në disa lokacione me qëllim forcimin e masave të sigurisë së objekteve dhe njerëzve në këtë sektor.