Sulmet, Arabia Saudite tregon provat që fajësojnë Iranin

schedule18:33 - 18 Shtator, 2019

schedule 18:33 - 18 Shtator, 2019

Arabia Saudite i ka mëshuar pistës iraniane në lidhje me sulmet ndaj impianteve të naftës të fundjavës së kaluar. Autoritetet mbretërore kanë publikuar një sërë provash që sipas tyre vërtetojnë përfshirjen e Republikës Islamike.

Ministria e Mbrojtjes në Arabinë Saudite ka treguar të mërkurën mbetjet e dronëve dhe raketave “Kruis” që u përdorën për të sulmuar impiantet e naftës, si provë për të konfirmuar përfshirjen e Iranit.

Ministria ka saktësuar se 18 dronë dhe 7 raketa “Kruis” sulmuan nga një drejtim që e përjashton përfshirjen e Jemenit, edhe pse rebelët Huthi të mbështetur nga Irani morën përsipër përgjegjësinë.

Nga ana e tij Teherani ka mohuar çdo përfshirje dhe ka paralajmëruar se do të reagojë ndaj çdo përgjigjeje ushtarake që mund të bëhet ndaj tij. Por për qeverinë saudite, mbetjet e publikuara janë një provë e pakundërshtueshme se sulmi është sponsorizuar nga Republika Islamike.

Zëdhënësi Turki al Maliki deklaroi se 18 dronë vepruan mbi impiantin e naftës në Abkaik, ndërsa 7 raketa “Kruis” u qëlluan ndaj fushës së naftës në Kurais, tre nga të cilat nuk e kapën objektivin.

Zëdhënësi i shoqëroi objektet e treguara me foto, video dhe harta që tregojnë sipas tij përgjegjësinë e Teheranit. Ai shtoi se bazat nga u nisën dronët dhe raketat nuk mund të thuhen ende, por me t’u identifikuar ato do të njoftohen në një konferencë tjetër./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!