Rruga kryesore në Graçanicë do të bllokohet përkohësisht, nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës së serbëve. Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që përgjatë kësaj kohe të shfrytëzojnë rrugët alternative.
Protesta e serbëve vjen pasi Policia e Kosovës arrestoi Dragisha Milenkoviç, për krime lufte kundër popullatës civile.
“Policia e Kosovës, me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graçanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës”, është theksuar në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Arrestimi i serbit për krime lufte ka ndodhur të mërkurën, pas disa hetimeve nga ana e autoriteteve të Kosovës.
Të mërkurën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ndaj personit të arrestuar “janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”./KosovaPress/