Aurela Kullolli është studentja nga Elbasani, e cila mbaroi Fakultetin e Mjekësisë me të gjitha notat maksimale. Ajo ishte e ftuar në emisionin “Provokacija” këtë të martë, ku tregoi se ka marrë Medaljen e Artë për shkak se përfundoi gjimnazin në vitin 2013 me të gjitha provimet 10-a. Gjithashtu ajo është në pritje të Medaljes së Artë përsëri pasi e mbaroi edhe Fakultetin e Mjekësisë me 10-a.
“Mua më pëlqente të merrja atë bursën që jepet për studentët ekselentë që ka qenë 8900 lekë të reja në muaj, e cila deri para një viti, kur mora 10 e fundit ka qenë që duhet t’i kishe të gjitha 10-a dhe të merrje bursën e ekselencës që faktikisht as konviktin nuk ka mbulonte, po gjithsesi ishte një stimul që mund ta mbuloja veten ekonomikisht. Me një 9 ti rrezikoje ta humbje këtë bursë. Në vit të parë dhe në vit të dytë e kam marrë nga një nëntë, por kam shkuar në vjeshtë me dëshirën time dhe e kam dhënë për përmirësim”, tha Aurela.
Studentja ekselente për momentin është duke menduar se çfarë do të bëjë në të ardhme. Ajo po zhvillon praktikën në Elbasan./abcnews.al