“Rama duhet të kishte 67 deputetë”, Shabani: Duhet ndryshuar sistemi zgjedhor

schedule21:17 - 17 Shtator, 2019

schedule 21:17 - 17 Shtator, 2019

Aktivisti dhe pedagogu Endri Shabani ishte pjesë e emisionit “Provokacija” mbrëmjen e së martës. Sipas tij, një pjesë e madhe e shoqërisë është e papërfaqësuar sot.

Për këtë arsye, tha ai, duhen ndryshuar sistemi zgjedhor. Sistemi aktual sipas tij nuk ka konkurrencë dhe për këtë arsye kryetarët e partive vendosin sipas dëshirave dhe interesave.

“Ne duhet të ndryshojmë rregullat e lojës sepse me këtë sistem zgjedhor qytetari nuk ka mundësi të zgjedhë. Zgjedhjet, sistemi zgjedhor është institucion distributiv. Sistemi zgjedhor shpjegon kush do qeverisë, kush nuk do qeverisë. Në zgjedhjet e fundit me aq vota sa kishte marrë Rama duhet të kishte 67 deputetë. Sistemi zgjedhor i dha 74 deputetë. 7 deputetë ai i ka fituar vetëm nga formula zgjedhore.

Duke tejkaluar mazhorancën me sistemin zgjedhor, ai qeveris edhe kur nuk e ka mbështetjen e njerëzve. Pa adresuar këtë problem është vështirë që të zgjidhësh probleme të tjera. Në këtë situatë ku flasim, deputetët nuk kanë lidhje me elektoratin. Nuk e njeh deputetin, as nuk e shkarkon deputetin. Ai brenda partisë i bën pazaret me 3-4 biznesmenë të mëdhenj, oligarkë quaji dhe nuk i intereson fare të negociojë me njeri sepse e ka zgjidhur çështjen nga lart-poshtë.

Ka bërë një ndarje territoriale në mënyrë të tillë që në fund të ditës ti prapë të fitosh. PD nëse deputetët do merrnin vota nga njerëzit dhe nuk do futeshin në listë nga Basha, kur Basha thoshte do dalim nga parlamenti, do thoshte “e di si është puna, vazhdo dil ti se unë nuk dal dot se kur shkoj te zona elektorale më thotë, unë të votova që të rrish katër vjet aty”. Në njëfarë mënyre do i bënin presion kryetarëve të partisë.

Në qoftë se një deputet do merrte më shumë vota se Basha dhe se Rama do thoshte “ore zotëri, nuk të do njeri në popull, hap rrugën se unë kam më shumë vota”. Kjo lloj konkurrence brenda partisë mund të gjeneronte edhe forca të ndershme brenda partisë. Nuk besoj se të gjithë anëtarët e PS-së dhe PD-së janë të korruptuar. Mendoj se ende ka energji brenda këtyre partive. Kjo do hapte rrugë për parti të reja. Në fund të ditës dëshironte konkurrence. Ajo që na mungon sot është konkurrenca. Konkurrenca në ekonomi, në shëndetësi, arsim, konkurrenca brenda partive, konkurrenca brenda parlamentit”, tha Shabani.

Ndër të tjera, aktivisti i njohur tha se shoqëria duhet të shpërblejë njerëzit e ndershëm dhe të ndëshkojë njerëzit e korruptuar.

“Në Shqipëri ka një kërkesë të jashtëzakonshme për njerëzit pa mendimet e veta, servilë dhe të paaftë. Është një kërkesë e jashtëzakonshme në treg, sepse duke qenë është se është sistem i kapur, ai që është në krye do të sigurohet që vendin e vet nuk do ta humbasë. Ai nuk mund të jetë rehat me njerëz që kanë mendimet e veta, njerëz që debatojnë, kështu që për këtë arsye kërkon njerëz që në njëfarë mënyre janë ushtarë dhe zbatojnë urdhrat që ky jep. Në nivel afatgjatë kjo e shkatërron shoqërinë, por atij në krye nuk i intereson se ai nuk është për të zhvilluar shoqërinë, por për interesat e veta. Kjo është fatkeqësia jonë”, tha Shabani./abcnews.al