Ekstremizmi i krahut të djathtë ka qenë në rritje në Gjermani, sipas raportit vjetor të shërbimeve sekrete të paraqitur sot nga ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, dhe kreu i shërbimeve të brendshme, Thomas Haldenwang, në Berlin.
Sipas raportit, në 2022, numri i personave të klasifikuar si pjesë e spektrit ekstremist të krahut të djathtë u rrit me rreth 14,5% në 38 800, krahasuar me një vit më parë. Një nga arsyet për rritjen e mprehtë është se shërbimet sekrete përfshin për herë të parë anëtarë të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Partia u dyshua si ekstremiste e krahut të djathtë nga shërbimi sekret vendas, gjë që u konfirmua nga një gjykatë e Këlnit.
“Në funksion të heterogjenitetit që vazhdon të ekzistojë brenda partisë përsa i përket përmbajtjes, megjithatë, jo të gjithë anëtarët e partisë mund të konsiderohen si mbështetës të rrymave ekstremiste”, thuhet në raport.
Shërbimet sekrete vlerësuan se 10 200 anëtarë të AfD-së dhe krahut rinor të saj, “Alternativa e Re për Gjermaninë” (JA), mund të kategorizohen si pjesë e lëvizjes ekstremiste.
“Ne po vërejmë se kufijtë brenda kategorive po bëhen të paqarta dhe po krijohen skena të përziera”, tha Haldenwang, duke shtuar se kërcënimi nga terrorizmi islamik mbetet i lartë, transmeton dpa.
Raporti përmban gjithashtu një paralajmërim urgjent për Kinën. Shërbimet sekrete aktualisht e konsiderojnë Republikën Popullore si kërcënimin më të madh përsa i përket spiunazhit ekonomik dhe shkencor, si dhe investimeve të huaja direkte në Gjermani.
Në lidhje me Kinën, Komisioni parlamentar i kontrollit të Dhomës së Ulët të Parlamentit gjerman, Bundestag, kërkoi rregulla më të rrepta në maj, për punësimin e anëtarëve të shërbimit publik me njohuri të sigurisë jashtë vendit.