Babani përgënjeshtron akuzat e PD-së: E gjithë historia e sajuar

schedule19:15 - 16 Shtator, 2019

schedule 19:15 - 16 Shtator, 2019

Pas përgënjeshtrimit të akuzave të opozitës kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës deklaroi se do të kallëzojë në prokurori sekretarin e Partisë Demokratike Gazmend Bardhin. Menjëherë ka reaguar në Facebook, ky i fundit i cili thotë se Babanit do t’i duhen avokatë për fshehjen e arrestimit të tij për vjedhje makinash.

Pas deklaratës së kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës se do padisë Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së për shpifje, nuk ka vonuar përgjigja e Gazment Bardhit. Në një postim në Facebook, Bardhi thotë se avokatët Babanit do t’i duhen për të negociuar vitet e burgut për fshehje të arrestimit të tij në Sicili në prill 1994 për vjedhje makinash.

Në daljen për mediat kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës Mark Babani deklaroi se nuk është ndaluar asnjëherë nga policia për vjedhje në Itali. Sipas tij, historia është e sajuar për të ulur imazhin e tij dhe për këtë arsye do të depozitojë një kallëzim për Bardhin.

“E gjithë kjo histori, është e sajume, është një histori që nuk ka lidhje me mua. Unë deklarimet dhe vetëdeklarimet i kam bërë të qarta. Ato në qoftë se kanë fakte mund të kishin shkuar në prokurori. Mua s’më bëjnë as Sajmir, as edhe një emër tjetër, se unë kam lindur Mark Babani dhe jam Mark Babani. Nuk ka lidhje me gjurmët e gishtërinjve të mi. Unë atë po pres që ata të bëjnë padi në prokurori. Mua s’më ka thirrur prokuroria. Unë po pres padinë e prokurorisë. Jam i gatshëm të jap deklarimet e mia. Në qoftë se e kanë bërë padinë pse dalin e flasin nëpër televizorë. Normalisht ata po sajojnë për të ulur imazhin tim. Kam autorizuar avokatët e mi dhe po shoh para se prokuroria të dalë me një vendim që t’i bëjmë një denoncim penal zotit Gazment Bardhi për shpifjet që ka bërë karshi figurës time”, tha Mark Babani.

Në modelin e denoncimeve të mëparshme për Pjetrin e Shkodrës e Kajmakun e Vorës, Bardhi pyet Mark Babanin.

“Në datën 24 Janar 1996 në cilin hotel ke bujtur?”, dhe paralajmëron prova të tjera në ditët e ardhshme./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!