Ngritja e SPAK, Gent Ibrahimi: Do marrim vendim

schedule14:42 - 16 Shtator, 2019

schedule 14:42 - 16 Shtator, 2019

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gentian Ibrahimi ka deklaruar se SPAK nuk mund të filloj me 5 prokuror. Sipas Ibrahimit KLP po pret që vettingu i 3 kandidatëve të marrë forme të prerë. Keru i KLP ka deklaruar se në fund të Shtatorit do të jetë gati lista përfundimtare, me kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e radhës ka diskutuar për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion  e njohur ndryshe si SPAK si dhe renditjen e 4 kandidatëve për prokuror të përgjithshëm. Kreu i KLP-së, Gentian Ibrahimi tha se po presin që procesi i vettingut për 3 kandidatët e SPAK, të marrë formë të prerë.

“Jemi në hapat e fundit të këtij procesi të gjatë, ne tashmë kemi analizuar dhe miratuar 15 kandidatë të cilët në çdo çast mund të emërohen nga këshilli në prokurorinë e posaçme, natyrisht është edhe kalimi i procesit të fundit, siç është ai i vettingut, nga të 15 këta kandidatë për prokurorë në SPAK. Vetëm 5 prej tyre e kanë kaluar tashmë këtë proces, 3 të tjerë janë në fazën e fundit dhe ne presim të kalojë edhe koha për ankimin e vendimit pozitiv për të 3 këta kandidatë. 7 kandidatë të tjerë, janë në faza të ndryshme të procesit, 2 prej tyre janë të ankimuar në Kolegjin e Apelimit dhe do e marrim vesh shpejt, nëse do kalojnë procesin e vettingut apo jo. Besoj që javën e fundit të shtatorit, Këshilli do të marri një vendim për miratimin e listës zyrtare të kandidatëve për prokuror të përgjithshëm. Shpresojmë që të jenë të 4-t kandidatët por mund të jenë edhe 3 dhe 2.. por sidoqoftë shpresa është që ne të 4 kandidatët, të jemi në gjendje t’i skanojmë dhe t’i quajmë të përshtatshëm, për pozicionin e prokurorit të përgjithshëm”, tha Ibrahimi.

Vendimi i KPK-së për rivlerësimin e kandidatit për kryeprokuror Olsian Çela është zbardhur, dhe Komisioneri Publik ka edhe 3 ditë kohë për të bërë ose jo ankimin. KLP nuk ka bërë ende vettingun e kandidatit tjetër, avokat Lulëzim Alushja. Kreu i KLP deklaron se në fund të Shtatorit do dalë lista përfundimtare me emrat e kandidatëve për kryeprokuror.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të angazhohet dhe për sigurinë e prokurorëve si dhe do të marrë masa në rastet kur atyre u rrezikohet jeta. Me short u zgjodh Tartar Bazaj si përfaqësues i Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve. KLP ka caktuar përkohësisht Rifat Kojkun si drejtues në Prokurorinë e Dibrës, pas largimit nga ky post i Esmeralda Cami (Keshit), që bashkë me Vladimir Marën janë kandidatë për vakancën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!