Mbreti Karl i III i Britanisë po merr pjesë në paradën e tij të parë zyrtare të ditëlindjes si sovran. Ai hipi mbi një kalë për të inspektuar ushtarët në një ceremoni që ka qenë një ngjarje vjetore që nga viti 1760.
Parada, e njohur si “Trooping the Colour”, po mbahet disa javë pas kurorëzimit të Karlit më 6 maj.
Mbreti Karl, 74 vjeç, hipi mbi një kalë gjatë paradës, traditë nga e cila nëna e tij, Mbretëresha Elizabet, hoqi dorë në vitin 1986 kur ishte 60 vjeçe.
Në shfaqjen vjetore të ushtrisë britanike për monarkun, Karl u përshëndet nga një “Përshëndetje Mbretërore” dhe kreu një inspektim të ushtarëve përpara 8000 spektatorëve, së bashku më djalin e tij, Princi i Uellsit, motra e tij Princesha Anne dhe vëllai i tij Duka i Edinburgut.
Mbretëresha dhe Princesha e Uellsit e ndoqën me një karrocë. Ngjyra ose flamuri i regjimentit, i cili u vendos në ceremoni i përket Gardës Uellsiane të Batalionit të Parë.
Karl më pas do të kthehet në Pallatin Buckingham me familjen e tij, ku ata do të mblidhen në ballkonin e famshëm të ndërtesës për të parë shfaqjen e 70 avionëve dhe helikopterëve ushtarakë.
Turmat e mbledhura përgjatë rrugës midis Mall dhe Paradës së Gardës së Kuajve do të shohin një shfaqje ajrore, duke përfshirë luftëtarët Typhoon dhe Red Arrows. C-130 Hercules do të marrë gjithashtu pjesë, fluturimi i fundit ceremonial i avionit të transportit përpara se të tërhiqet pas gati 60 vitesh shërbimi.
Karl u bë mbret kur nëna e tij, Mbretëresha Elizabet, vdiq në moshën 96-vjeçare në shtator. Trooping the Color shënon ditëlindjen zyrtare të monarkut të Britanisë dhe zakonisht mbahet në qershor. Ditëlindja aktuale e Karlit është 14 nëntor.