BE-ja e shqetësuar për përdorimin në rritje të drogës

schedule17:23 - 16 Qershor, 2023

schedule 17:23 - 16 Qershor, 2023

Komisioni Evropian tha se përdorimi dhe shitja e drogës në vendet e Bashkimit Evropian po rritet në një gamë të shumëllojshme.

Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson në një konferencë të përbashkët për media me drejtorin e Qendrës Evropiane për Drogën dhe Varësinë nga Drogat Alexis Goosdeel, njoftoi mbi Raportin Evropian 2023 për Drogën.

“Krimi i organizuar i lidhur me drogën përbën kërcënim të madh për shoqërinë. Jam thellësisht e shqetësuar se substancat e konsumuara sot në Evropë mund të shkaktojnë më shumë dëm për shëndetin sesa në të kaluarën”, tha Johansson e cila shtoi se në vizitat që ka realizuar kohët e fundit në porte të caktuara të BE-së dhe Amerikës Latine ka parë se trafikantët vazhdojnë të ndikojnë negativisht në shoqëri përmes depërtimit në zinxhirët e furnizimit, shfrytëzimit të punëtorëve, dhunës dhe korrupsionit”, tha ajo.

“Është shumë e rëndësishme që BE-ja të bëjë bashkëpunim me vendet e treta në luftën globale kundër trafikimit të drogës”, tha Johansson.

Goosdeel tha se drogat janë të pranishme në çdo vend të Evropës dhe përdoren nga çdo shtresë.

Sipas raportit, tregu i drogës në BE po bëhet edhe më i shumëllojshëm. Pothuajse çdo substancë që ka cilësi psikoaktive, bart potencial që të përdoret si drogë. Kjo situatë rrit rreziqet si në aspektin shëndetësor, si ngjarjet e dhunshme të lidhura me trafikimin por edhe me shkallën e krimit tek të pastrehët dhe të rinjtë të cilët janë ndër shtresat më të përhapura të drogës.

Të dhënat tregojnë se BE-ja përveçse është një treg për drogat, ajo është një vend prodhimi, eksportimi dhe tranziti.

Rritja më e madhe e drogës së kapur në BE në vitin 2011-2021 është vërejtur tek kokaina me 416 për qind, kanabisi bimor 260 për qind, metamfetamina 135 për qind, heroina 126 për qind. Kohët e fundit në Evropë po sekuestrohen sasi rekord të drogës. Në këtë kryesojnë portet Anvers i Belgjikës dhe Rotterdam i Holandës.