Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se veprimet e tij në veri dhe shpërfillja e ndërkombëtarëve ka sjellë në këtë situatë, ku kidnapohen tre policë të Kosovës, brenda territorit të vendit.
Tahiri, në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar nevojën për bashkërendim me faktorin ndërkombëtar në lidhje me depërshkallzimin e situatës në veri.
“Ajo që duhet të thuhet sot këtu është se veprimet amatoreske në veri të Kosovës dhe shpërfillja e ndërkombëtarëve ka sjellë në përshkallëzim të situatës dhe jemi në kërcënim të sanksioneve të një vendi i cili është më properëndimor dhe proamerikan. Reagimi me vonesë i kryeministrit në çdo situatë të krijuar u pa si një pabesi e qeverisë ndaj partnerëve dhe rrjedhimisht reagimi i tyre ishte i butë”, ka thënë Tahiri, raporton Kosova Press.
Të mërkurën, Policia e Kosovës, ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.


