Shirat e fundit kanë bërë që aksioni për mbjelljen e pemëve të vijojë në Tiranë. Kompania “Alumil Albania” iu bashkua nismës së Bashkisë së Tiranës, duke dhuruar 25 pemë për ‘Parkun Helen’ në Liqenin e Farkës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi mbollën pemë së bashku me përfaqësuesit e kompanisë, me rastin e 25 vjetorit të punës së kësaj kompanie në Shqipëri.
“E filluam me diçka shumë simbolike, siç ishte ‘Parku Helen’, por jam shumë krenar që ambasadat dhe shumë donatorë po i bashkohen nismës tonë. Sot mbjellim 25 pemë për 25 vjetorin, jeni ende shumë të rinj. Faleminderit shumë për 25 lopatat. E di që edhe gjatë fushatës u bë ky debat: Jo, po ku janë pemët, jo andej po këtej! Ata që kanë kontribuar, njëri 25, dikush 30, një tjetër 100, tjetri 1000, apo dikush vetëm 1 pemë për ditëlindjen e fëmijës së tij, ata e dinë. Unë besoj se është kjo puna komunitare që ka më shumë duk. Mandatet tona janë të kufizuara, por një pemë mund të jetojë sa jeta e një njeriu dhe besoj që të gjithë ne do themi: Kur ishim të rinj, kur mbillnim pemë tek Liqeni i Farkës, sot e shoh shumë kollaj se këto do kenë bërë hije, por kjo është një ndjesi e jashtëzakonshme, që ta jep vetëm investimi në qytet, që nesër ta kthen shpërblimin dhe falënderimin disafish”, tha Veliaj.
Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi falenderoi kreun e Bashkisë së Tiranës që ishte i pranishëm në mbjelljen e 25 pemëve në kuadër të 25 vjetorit të kompanisë “Alumil Albania”.
“Greqia është pranë Shqipërisë dhe e mbështet atë jo vetëm financiarisht, por edhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Që nga viti 2003 me axhendën e Selanikut dhe deri më sot, Greqia ka qenë një partner në krah të Shqipërisë që mbështet rrugën e saj të anëtarësimit me çdo mënyrë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Faleminderit shumë Kryetarit të Bashkisë që është sot me ne, është nder i madh!”, përfundoi fjalën ajo./abcnews.al