Ish-Presidenti Donald Trump mbërriti në Florida përpara paraqitjes në një gjykatë federale në Majemi të martën, si pjesë e një padie për mbatjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete qeveritare.
Zoti Trump përballet me 37 akuza, mes të cilave, mbajtje e qëllimtë e dokumenteve sekrete të mbrojtjes, konspiracion, pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme, shkruan VOA.
Kjo është hera e parë në historinë e vendit që ndaj një ish-presidenti ngrihen akuza federale.
Dalja para gjykatës në Majemi është planifikuar të ndodhë të martën në orën 15:00 me orën lokale. Kjo do të jetë hera e dytë që nga muaji prill, që zoti Trump përballet me akuza penale.
Por ndryshe nga rasti i Nju Jorkut, ekspertët ligjorë e kanë cilësuar aktpadinë e prokurorëve federalë, një çështje më të fortë. Akuzat përfshijnë ndër të tjera shkelje të ligjit të spiunazhit, i cili e konsideron një vepër penale mbatjen e paautorizuar të dokumenteve që lidhen me mbrojtjen. Nëse shpallet fajtor zoti Trump rrezikon një dënim maksimal prej 20 vitesh heqje lirie.