Në Gjirokastër do të luhet sot ndeshja mes dy skuadrave në krizë. Luftëtari e Flamurtari synojnë të fitojnë pikët e para në këtë sezon të Superligës.
Mund të quhet sfida mes më të dobtëve. Luftëtari-Flamurtari ka qenë duel me histori tjetër, por skuadrat nuk kanë asnjë pikë pas tri ndeshjeve të para të Superligës, duke mbajtur vendet e fundit. Luftëtari ka një tjetër ndryshim në stol, pasi tashmë trajner është greku Marantas, i cili sapo ka nisur të punojë me ekipin.
“Jam i lumtur që ndodhem tek Luftëtari, një ekip me histori të rëndësishme në Shqipëri. Shpresoj të kemi sukses dhe që tifozët të na ndjekin. Për ndeshjen ndaj Flamurtarit po punojmë fort, në kaq ditë sa kemi në dispozicion, dhe besoj se mund ta përballojmë. E njoh kundërshtarin, kam parë ndeshjet e tij, kam parë edhe lojtarët. Nga ekipi ynë janë larguar Muça dhe Morina, por nuk do t’i quaj mungesa, pasi rëndësi kanë lojtarët që kemi. Besoj se skuadra ka cilësi, që duhen përmirësuar”.
Flamurtari, ndërkaq, ka më pak shqetësime me trajnerin, pasi prej shumë javësh drejtohet nga Dritan Sadedini. Gjithsesi, problemet me financat e kanë dobësuar skuadrën, e cila i ka humbur të gjitha ndeshjet deri tani.
Për vlonjatët mungon Zeqaj, i pezulluar, ndërsa në dyshim janë mbrojtësit Sarris dhe Ibars. Sulmuesi shkodran Sukaj është rikthyer në skuadër pas dëmtimit, por nuk dihet nëse mund të luajë titullar, apo do ta nisë ndeshjen nga stoli./ABC News Albania 24/7