Janë shfaqur probleme mes kompanive të udhëtimit nga Shqipëria në Kosovë. Drejtues të agjencisë turistike “Papi Mers” pretendojnë se po dëmtohet biznesi i tyre nga dy kompani tjera të cilat kalojnë nëpër Kosovë vetëm tranzit.
Admir Jahelezi nga Tropoja administrator i linjës së autobusëve “Papi Mers” ka dorëzuar ankesë në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë. Ai pretendon se po dëmtohet biznesi i tij, nga dy agjenci turistike nga Shqipëria në linjën Tiranë-Bajram Curr.
Ai thotë se është i pajisur me dy licenca për linjat nga Tiranë- Gjakovë dhe B. Curri-Gjakovë, ndërsa ata të cilët nuk paguajnë taksa dhe janë vetëm tranzit i marrin udhëtarët nëpër Kosovë gjysmë çmimi. Thotë se ankesat e tij po hasin në vesh të shurdhër.
Në Ministrinë e Infrastrukturës e pranojnë se dy operatorët tjerë kanë leje vetëm tranzit dhe se ka pasur raste kur i kanë shkelur rregullat. Megjithatë sipas tij ankesat e Jahelezit janë duke u shqyrtuar dhe kjo çështje ka kaluar në nivel politik.
“Është bërë temë në kuadër të ministrisë së infrastrukturës deri në nivel të kabinetit. Kjo çështje është duke u diskutuar në nivel politik. Pritet që brenda Shtatorit të ketë edhe një takim ku do të diskutohet kjo çështje”.
Më 15 qershor të këtij viti këto dy kompani ishin ndaluar të qarkullojnë nëpër Kosovë, me arsyetimin së këta operatorët asnjëherë nuk kanë pasur leje qarkullimi. Pas ankesave të Ministrisë së Transportit të Shqipërisë ky vendim është pezulluar deri në një takim të radhës të komisioneve teknike nga të dyja shtetet./ABC News Albania 24/7