Ndërsa kishte prej përdoruesve të cilët mbyllën llogaritë e tyre Netflix pasi kompania vendosi të ndalonte praktikën e shkëmbimit të fjalëkalimeve, sistemi i ri i platformës po fillon të japë frytet e saj.
Sipas të dhënave të firmës analitike Antenna, Netflix vërejti një rritje të ndjeshme të regjistrimeve të llogarive të reja pasi sistemi i ri hyri në fuqi në SHBA dhe disa vende të botës në fund të muajit maj.
Antenna thotë se Netflix pati regjistrimet më të larta në 4 vite e gjysmë. Më 26 dhe 27 maj kishte afro 100 mijë regjistrime çdo ditë.
Përgjatë katër ditëve, kompania kishte mesatarisht 73 mijë regjistrime të reja, një statistikë 102 për qind më e lartë nëse krahasohet me mesataren e 60 ditëve të kaluara.
Edhe pse mbyllja e llogarive shënoi rritje gjithashtu, Antenna ka thënë se regjistrimet i tejkaluan ato. Vlen të theksohet se këto nuk janë shifra zyrtare të Netflixit.
Netflix filloi të godiste këtë praktikë në vendet e Amerikës Latine përpara se të zbatonte rregullat e reja në Kanada, Zelandën e Re, Portugali dhe Spanjë në shkurt.
Në SHBA, përdoruesit duhet të paguajnë 8 dollarë në muaj më shumë për të pasur qasje në një llogari jashtë shtëpisë.