Kapiteni i kombëtares Elseid Hysaj është përfshirë në 11-en më të mirë pas raundit të gjashtë të kualifikueseve të Euro 2020 sipas revistës “France Football”.
Revista e famshme “France Fotball” ka vlerësuar maksimalisht paraqitjen e kapitenit të kombëtares Elseid Hysaj në ndeshjen ndaj Islandës. Mbrojtësi shkodran realizoi golin e parë me përfaqësuesen kuqezi dhe ishte ndër më të mirët në fushën e lojës.
Futbollisti i Napolit është përfshirë në formacionin më të mirë pas raundit të 6 të kualifikueseve të Euro 2020. Revista franceze ka përzgjedhur skemën 4-1-4-1 me futbollistin kuq e zi që është vendosur në krahun e djathtë të mbrojtjes përkrah yjeve të tjerë të futbollit europian.
“Në krahun e djathtë ne do të vendosim Elseid Hysaj për aksionin e mrekullueshëm të golit ndaj Islandës dhe për paraqitjen në dy fazat e lojës”, shkruan “France Football”.
Kujtomë që Hysaj ishte futbollisti më i dobët në fushë në ndeshjen ndaj Francës duke u vlerësuar me notën 3 ndërkohë që zhvilloi një tjetër performancë në “Elbasan Arena”.
Nuk mund të mungonte në këtë 11-she ylli portugez Cristiano Ronaldo, i cili realizoi plot 4 gola në ndeshjen ndaj Estonisë./ABC News Albania 24/7