Një skandal i vërtetë me stadiumin e Napolit në Serinë A. Pak ditë para ndeshjes së parë të sezonit në shtëpi, skuadra napolitane nuk ka gati dhomat e zhveshjes.
Kalendari e deshi që të mos luante në shtëpi deri tani. Napoli pati dy ndeshje jashtë fushe në Serinë A, në Firence dhe Torino, por mirë do të ishte që të kishte qenë edhe një e tretë si këto.
Përse kështu?
Sepse dhomat e zhveshjes në stadiumin “San Paolo” nuk janë gati, edhe pse duhen më pak se 3 ditë që nga dueli me Sampdorian, ndërsa të martën do të luhet në Champions ndaj Liverpool-it, po në Napoli.
Prej muajsh stadiumi po i nënshtrohet punimeve për modernizimin e tij, por duket se afatet nuk janë respektuar. Kabllo të ndryshëm ende nuk janë mbuluar, banjot nuk janë montuar, ndërsa ka edhe vonesa të tjera.
Një skandal, jo vetëm për kompaninë që kryen punimet, por sidomos për komunën e Napolit dhe organet e tjera shtetërore, pasi “San Paolo” është stadium publik. Trajneri Karlo Ançeloti shkoi vetë të vizitonte punimet dhe u shpreh shumë ashpër më pas.
“Pashë nga afër kushtet e dhomave të zhveshjes në “San Paolo”, – tha ai, – nuk ka fjalë për të shprehur skandalizimin tim. Në dy muaj mund të ndërtohet një shtëpi, si nuk përfundohen dhomat e zhveshjes? Ku mendojnë ata se duhet të zhvishemi ne për ndeshjet ndaj Sampdorias dhe Liverpulit? Jam i indinjuar nga moskorrektesa e atyre që duhej të ndiqnin punimet”.
Napoli cilësohet si një nga pretendentët kryesorë për titull në Serinë A, por këto probleme mund të ndikojnë për keq në gjendjen psikologjike dhe sportive të skuadrës./ABC News Albania 24/7