Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar për tensionet gjatë mbledhjes së kryesisë partisë. Përtej debateve gjatë mbledhjes, tension pati edhe jashtë selisë pasi disa mbështetës të Lulzim Bashës që ishin mbledhur jashtë u përplasën me disa deputetë duke i ofenduar.
Në një postim në Twitter, Bardhi dënoi me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve demokratë ndërsa shprehet se dhuna verbale, presioni apo shantazhi nuk janë mjete politike. Sipas Bardhit, kjo sjellje hedh në erë bashkëjetesën brenda PD si edhe dërrmon besimin e qytetarëve tek kjo forcë politike.
“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD. Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë.“, shkruan ai.
1/2. Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD.
— Gazment Bardhi (@GazmentBardhi) June 7, 2023
Kujtojmë që gjatë mbledhjes së djeshme që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, u vendos që zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë të mbahen me 29 Korrik. Jorida Tabaku njoftoi gjithashtu se ka hequr dorë nga posti i nënkryetares së PD-së pasi u shpreh kundër mbajtjes së zgjedhjeve në këtë moment./abcnews.al