SHBA/ Ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie futet në garën për president 

schedule08:32 - 7 Qershor, 2023

schedule 08:32 - 7 Qershor, 2023

Ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie shpalli të martën në mbrëmje në një takim të hapur me qytetarët në Nju Hemshër, kandidaturën për president, duke hyrë kështu në garën për të fituar nominimin e Partisë Republikane. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Christie paraqiti gjithashtu paraprakisht dokumentacionin e nevojshëm për të regjistruar kandidaturën e tij për president për zgjedhjet e vitit 2024.

Kjo pritet të jetë fushata e dytë për zotin Christie, i cili humbi përballë Trump në vitin 2016 dhe punoi si këshilltar i afërt i tij, përpara se të distancohej nga ish-presidentin, për shkak të refuzimit të këtij të fundit për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Ai e ka portetizuar veten si i vetmi kandidat që është në gjendje të përballet në mënyrë direkte me ish-presidentin Donald Trump.

Christie i bashkohet kështu një numri në rritje republikanësh që kërkojnë emërimin, mes së cilëve vetë zoti Trump, guvernatori i Floridës, Rond De Sanits, ish- ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley dhe senatori i Karolinës së Jugut, Tim Scott. Ish-nën presidenti Mike Pence do të shpallë publikisht kandidaturën në shtetin e Ajouas të mërkurën.

Christie, i cili gjatë detyrës si guvernator i Nju Xhersit fitoi reputacionin e një kundërshtari të fortë, duke krijuar momente përplasjeje që u përhapën gjerësisht në opinionin publik, përballet me një betejë të vështirë për të siguruar emërimin e partisë e cila vazhdon të mbetet ngushtësisht e lidhur me ish presidentin Donald Trump, pavarësisht humbjes së tij në garën për t’u rizgjedhur si president në 2020 dhe rezultateve më të dobëta seç pritej të republikanëve në zgjedhjet e nëntorit të 2022.

Christie e ka paraqitur veten si personi i vetëm që ka guximin të përballet direkt me zotin Trump dhe ka paralajmëruar rrezikun e përsëritjes së rrethanave të vitit 2016 nëse kandidatët e tjerë dështojnë të përballen me të.

“Unë e kuptoj që për të fituar duhet të mundësh personin që është në krye të garës. Dhe si do të mund të ishte fushata? Fushata do të ishte një sfidë direkte, ballë për ballë me Donald Trumpin që po synon të rikthehet në Presidencë”, tha gjatë një interviste së fundmi zoti Christie.

Republikanët që kundërshtojnë zotin Trump janë veçanërisht të etur të shohin zotin Christie përballë ish-presidentin, sigurisht, në rast se zoti Trump pranon të marrë pjesë në debatet e zgjedhjeve brenda partisë, si edhe nëse zoti Christe arrin të plotësojë kriteret e forta për mbledhjen e fondeve, që Komiteti Kombëtar Republikan, ka vendosur për kandidatët që synojnë të jenë pjesë e primareve.

Por Christie ka thënë se ai nuk do të garonte për të mundur zotin Trump nëse nuk do të besonte se i kishte aftësitë e duhura për fitore.

“Nuk jam një person që hedh veten në erë”, tha ai për gazetën “Politico”.

Fushata e Christie pritet të vërë në provë prirjen e votës së republikanëve, duke pasur parasysh se ai ka mbështetur shumë politika të zotit Trump, por edhe ka kritikuar sjelljen e ish presidentit.

Christie ka kundështuar pretendimet e zotit Trump për vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe i ka bërë thirrje partisë që të ecë përpara, ndryshe rrezikon humbje të tjera. Republikanë të tjerë, me pikëpamje të ngjashme, përfshirë ish guvernatorin e Merilendit Larry Hogan dhe guvernatorin e shtetit të Nju Hemshërit, Chris Sunnunu, zgjodhën që të hiqnin dorë nga kandidimi duke shprehur shqetësimin se nëse ka shumë kandidatë në garë, ai që do të përfitojë do të jetë Trump./VOA