Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Nga diplomacia te Gjykata Kushtetuese/ Kush është Bekim Sejdiu, kandidati për President në Kosovë

schedule13:33 - 31 Gusht, 2026

schedule 13:33 - 31 Gusht, 2026

Lëviza Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për çështjen e presidentit. Kurti dhe Abdixhiku janë dakorduar për emrin e kryetarit të shtetit, pas takimeve që zgjatën me javë. Dy partitë janë marrë vesh që Bekim Sejdiu, të jetë kandidati i përbashkët për presidentin e ardhshëm të vendit.

Kush është Bekim Sejdiu?
Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, ka një karrierë të gjatë në drejtësi, diplomaci dhe akademi. Ai ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga prilli i vitit 2015 deri në vitin 2021, kur dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Gjatë mandatit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka qenë gjyqtar raportues në disa raste me rëndësi politike, përfshirë edhe vendimin e vitit 2020 që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.
Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka shërbyer në diplomaci.

Ai ka qenë ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012, ndërsa më pas ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork nga viti 2012 deri më 2014.

Para emërimit si ambasador, Sejdiu ka qenë këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai është gjithashtu profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron që nga viti 2002.

Gjyqtari Sejdiu ka përfunduar studimet juridike në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (1999). Ai ka përfunduar dy magjistratura: në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, në Universitetin e Bilkentit (2005), dhe në fushën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, në Universitetin e Sarajevës dhe në Universitetin e Bolonjës (2001). Gjyqtari Sejdiu ka doktoruar në fushën studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe të Studimeve Evropiane – Nova Univerza, në Slloveni.

Në të gjitha angazhimet e tij publike, gjyqtari Sejdiu ka qenë ngushtë i lidhur me përpjekjet për promovimin e tolerancës shoqërore, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe të barazisë gjinore, duke qenë kësisoj pjesë e grupit themelues dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED (2002-2008).

Në vitet 2000-2002, ka qenë edhe drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile – FKSHC.Gjatë veprimtarisë së tij publike, gjyqtari Sejdiu është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh, si: Dekoratën e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut (SHBA), Çelësin e qytetit Worcester (Massachusetts, SHBA) dhe Medaljen nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!