Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri kyç i Kosovës, pavarësisht dallimeve. Në një intervistë për Financial Times, ai ka thënë se është Serbia ajo që duhet të sanksionohet pasi “po e financon milicinë fashiste në pjesën veriore të vendit”.
“Ata që flasin për sanksione ndoshta duhet të mendojnë më gjerë apo më thellë. Serbia nuk po vendos sanksione ndaj Federatës Ruse dhe po e financon këtë milici fashiste në pjesën veriore të vendit tim, ndaj ndoshta duhet të (marrin) sanksione”, ka thënë Kurti gjatë intervistës për Financial Times.
Ai e cilësoi SHBA-në si “mikun, aleatin dhe partnerin kryesor” të Kosovës, duke shtuar se ka qenë në kontakt të përditshëm me ambasadorin amerikan në Prishtinë.
“E pranoj se sa i përket veprimeve të marra kemi pasur një dallim të vogël, por sinqerisht nuk e ndjej se asnjë lloj sanksioni (për) Kosovën… është masa e duhur”, ka thënë ai. Shefi i ekzekutivit ka thënë se do të ishte i gatshëm të zhvillonte një takim me Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësimin e Brukselit.
Ai gjithashtu ka përshëndetur vendosjen e më shumë trupave të NATO-s në Kosovë, duke thënë: “Unë kam bërë thirrje për më shumë ushtarë të NATO-s që nga viti i kaluar”. Kujtojmë që SHBA përjashtoi Kosovën nga “Defender Europe ’23”, si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier deklaroi se janë menduar edhe masa të tjera për shkak se qeveria nuk është koordinuar me ShBA-të për veprimet në pjesën veriore të vendit./abcnews.al