Starova mbetet trajner i Partizanit, të paktën deri në fund të vitit

schedule19:23 - 18 Dhjetor, 2017

schedule 19:23 - 18 Dhjetor, 2017

Sulejman Starova mbetet trajner i Partizanit. Presidenti Demi nuk pranoi dorëheqjen, por mbetet mister sesi cili do të jetë fati i trajnerit dhe i disa lojtarëve në janar të vitit të ardhshëm.

I dorëhequr, por sërish në detyrë.
Sulejman Starova mbetet trajner i Partizanit, pasi largimi i kërkuar nga ai vetë, nuk u pranua nga klubi.
Presidenti Demi nuk e pranoi dorëheqjen dhe kërkoi që ai të vazhdonte në detyrë, gjë që u pohua zyrtarisht nga Partizani në faqen zyrtare në rrjetet sociale.
Trajneri dha dorëheqjen pas humbjes 5-0 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, në ndeshjen e Superligës, një nga disfatat më të thella në historinë e kryeqytetasve.
Cila do të jetë e ardhmja e Starovës?

Burime në klub pohojnë se ai mund të mbetet në detyrë deri në fund të vitit dhe ndoshta në janar, të kuqtë të gjejnë një njeri tjetër për stolin.
Gjithsesi, ekziston mundësia që Starova të vazhdojë deri në fund të sezonit, ndërsa në janar të ketë ndryshime të mëdha, me largime dhe afrime lojtarësh, në mënyrë që skuadra të jetë më e fortë për gjysmën e dytë të edicionit.

Burimet e mësipërme tregojnë se vetë Starova u ka folur lojtarëve në një mbledhje me ta, që të ruajnë veten, pasi ai nuk i ruan dot më.
Kjo do të thotë se shumë futbollistë janë të rrezikuar për të mos qenë më pjesë e projektit.
Partizani ndodhet vetëm në vendin e gjashtë pas 15 javësh kampionat, por duke qenë vetëm 4 pikë larg vendit të dytë, ndaj kthesa është e mundshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!