Akademikja, Ledi Shamku ka folur në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, për projekt-vendimin për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Sipas saj, shkelja e ligjit është dëm për shtetin shqiptar, është dëm për kulturën e ligjit në këtë vend, por dëmi më i madh i kësaj është shuarja e Albanologjisë.
“Ky reformim ka nisur që në 2014, pra po bëhen 9 vjet. Jo reformim, po kërkesë për reformism e Kërkimit Shkencor. Ju besua një herë e një kohë Zotit Milo, i cili u orvat të prodhonte një model si, qysh, tek, si do ishim, si mendohej të ishim. Nuk ia doli, propozimi i tij nga qeveria nuk u pranua. Pastaj, iu ngarkua dy të tjerëve, një zëvendës ministri dhe një eksperti tjetër, dhanë dhe morën dhe ata, edhe sërish nuk ia dolën. Pra, ka pasur kohë kjo ide 9 vjet dhe nuk ia doli dot. Mbërrijmë në pikën e sotme që kërkohet të zgjidhet me një VKM, e cila shkel disa ligje njëherësh dhe ky është dëmi më i vogël. Shkelja e ligjit është dëm për shtetin shqiptar, është dëm për kulturën e ligjit në këtë vend, por dëmi më i madh i kësaj është shuarja e Albanologjisë”, tha Shamku.
Më tej, e pyetur nëse duhet bërë realisht rikthimi i institutive në varësinë e Akademisë së Shkencave, ajo deklaroi se arsimi nuk ndahet nga shkenca, duke marrë si shembull, disa nga universitet më të njohura në Europë, përfshirë atë të Bolonjës, ku jep mësim dhe vetë.
“Arsimi nuk ndahet nga shkenca. Në asnjë vend të Europës, po marr si shembull, vendin që unë e njoh si shtëpinë time se ju e dini që unë një pjesë të mirë të kohës, unë jam profesoresh e sociolinguistikës të Italishtes dhe e gjuhës dhe e kulturës shqipe në Universitetin e Bolonjës. Edhe me shumë krenari, e them, që departamenti ku unë jap mësim rezulton në rankimin e 2023, departamenti i 38-të në botë. Pra, jemi në 50-shen më të mirë në botë, që do të thotë që jetoj ditë për ditë me përvojën më të mirë të dijes europiane dhe se si funksion shkenca dhe formimi. Edhe nuk bëhet fjalë që të ndahet shkenca dhe formimi, sepse i bie që unë shkruaj dhe më lexon ti, edhe nuk trasmetojmë më as pasion dhe as dije. Në Universitin e Bolonjës dhe në të gjitha ato europiane, dhe në Kosovë është po e njëjta gjë, pedagogu është njëherazi dhe kërkues shkencor dhe shkencën e bën së bashku me formimin, së bashku me projektet e rëndësishme”, u shpreh Shamku./abcnews.al


