Mançester Siti është gati t’i ofrojë rinovimin e kontratës trajnerit Pep Guardiola. Katalanasi pritet të ketë rrogën më të lartë nga të gjithë trajnerët e futbollit në botë.
Ka krijuar sërish skuadrën që cilësohet më spektakolarja në Europë.
Pep Guardiola po e tregon sërish veten, këtë herë në Angli me Mançester Sitin, pasi fitoi gjithçka me Barcelonën, ndaj edhe klubi anglez nuk dëshiron ta humbasë.
Mediat zbulojnë se drejtuesit e Sitit janë gati t’i ofrojnë rinovimit trajnerit katalanas, ndërsa shifrat financiare pritet të jenë tepër të mëdha.
Rroga vjetore e Guardiolës besohet se do të jetë 25 milionë euro në sezon, gjë që do ta bënte trajnerin më të paguar të botës edhe më shumë se Murinjo, Konte apo Zidan.
Akordi i tanishëm i 46-vjeçarit vlen deri në 2019-n, ndërsa mediat britanike shkruajnë se bisedimet mes palëve mund të zhvillohen verën e ardhshme.
Kontrata e re mendohet se do të jetë 4-vjeçare, pra do të zgjatet deri në 2023, ndërsa shifra totale që do të marrë Guardiola, do të jetë 100 milionë euro.
Mançester Siti ndodhte në krye të Premier Ligës angleze me 52 pikë pas 18 javësh, duke pasur vetëm një barazim dhe duke mos pësuar asnjë humbje.
Skuadra e Guardiolës ka bërë fillimin më të mirë në historinë e Premier Ligës, dhe ka 11 pikë më shumë sesa Mançester Junajtid i vendit të dytë./abcnews.al