Finale brezash në US Open

schedule16:16 - 7 Shtator, 2019

schedule 16:16 - 7 Shtator, 2019

Një finale e pazakontë do të luhet në Grand Slemin e Nju Jorkut. Legjenda Rafael Nadal do të jetë përballë yllit të ri, rusit Danil Medvedev.

Në moshën 33-vjeçare është rikthyer në kohët e lumtura. Rafael Nadal u duk sërish si i përjetshëm, kur arriti një tjetër finale Grand Slemi. Kjo në US Open, pas suksesit 3-0 ndaj Mateo Berretinit, në një ndeshje që u duk si rutinë.

Pavarësisht se italiani luftoi fort në setet e parë, duke i humbur 6-7 e 4-6, sërish spanjolli ishte pak si shumë për të. Dorëzimi erdhi në setin e tretë, fituar 6-1 nga Nadali që do të kërkojë titullin e katërt në Nju Jork.

Ai ka 18 Grand Sleme, ndërsa rekordmeni Federer tani duket më pranë, me 20 Çmimet e Mëdha të fituara në karrierë.

“Nadali më i mirë i historisë, – shkruan me entuziazëm “Marka”, – spanjolli është finalist në Australi, Rolan Garos dhe US Open, si dhe gjysmëfinalist në Uimbëlldon”.

“Kjo finale do të thotë shumë për mua, – u shrpeh Rafa pas fitores, – edhe pse ia dola 3-0 nuk ishte shumë e lehtë. Në këtë nivel, në US Open, nuk mund të presësh kundërshtarë të lehtë. Medvedes është pengesë edhe më e fortë, por le të fitojë më i miri”.

Danil Sergejeviç Medvedevi cilësohet nga shumëkush si pasardhësi i treshes së madhe, Federer-Nadal-Gjokoviç. Tenisti rus, në moshë 23-vjeçare, ka arritur kulmin e suksesit, një finale Grand Slemi, pasi mbërriti deri në turin e katërt në Australian Open.

Ai fitoi gjysmëfinalen ndaj bullgarit Dimitrov, gjithashtu 3-0, dhe kjo flet mjaft për potencialin e tij. Medvedev ka mundur këtë vit edhe Gjokoviçin, ndonëse nuk ia ka dalë ndaj Nadalit.

Rusi fitoi një reputacion negativ në Nju Jork, me nervat e tij gjatë një ndeshjeje, dhe duke i bërë publikut një shenjë të turpshme. Kjo bëri që tifozët t’i ktheheshin kundër, ndonëse ai i falenderoi pas fitores ndaj Vavrinkës, ndoshta me ironi.

Për vetë marrëdhëniet aktuale ruso-amerikane, ky duket si një tjetër konflikt. Gjithsesi, gazeta “Sport Ekspres” e Moskës nuk ka dyshime kur thotë se “Mevdevedi i shprehu dashurinë Amerikës, tani ai është heroi i US Openit”.

“Unë e di se çfarë duhet të pres në finale, – u shpreh rusi, – e di edhe se çfarë duhet të bëj për të fituar. Padyshim që Nadal është favorit, dhe ai fitoi bindshëm ndaj meje në Montreal, por edhe unë kam shanset e mia”.

Medvedevi do të përpiqet të bëhet i pari tenist i vendit të tij, fitues i një Grand Slemi, që kur Jevgeni Kafelnikov triumfoi në 1996 në Rolan Garos, dhe në 1999 në Australian Open./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!