SHBA: Wagner po përpiqet të marrë armë në Afrikë

schedule16:56 - 26 Maj, 2023

schedule 16:56 - 26 Maj, 2023

Mercenarët e Wagner mund të përpiqen të sigurojnë pajisje ushtarake për luftën në Ukrainë përmes Malit dhe vendeve të tjera afrikane, pretendojnë SHBA.

Në një deklaratë të Ministrisë së Financave, thuhet se punonjësit e ushtrisë mercenare ruse po përpiqen të blejnë mina, dronë dhe pajisje radari. Kompania dyshohet se, është e gatshme të përdorë dokumente false për transaksionet, sipas SHBA-së.

Wagner kreu abuzime të gjera të të drejtave të njeriut dhe shpërdoroi burimet natyrore, thuhet në deklaratë, e cila përfshin sanksione kundër kreut të Wagner në Mali, Ivan Maslov.

Themeluesi i Wagner, Yevgeny Prigozhin, kishte akuzuar ministrinë ruse të mbrojtjes se nuk i siguronte personelit të saj armë dhe municione për operacionet në Ukrainë.

Wagner udhëhoqi sulmin rus në qytetin ukrainas të Bakhmut, megjithëse filloi të tërhiqej të enjten për t’ia dorëzuar kontrollin ushtrisë ruse. Operacionet, të cilat zgjatën për muaj të tërë, rezultuan me vdekjen e mijëra ushtarëve nga të dyja palët.

SHBA, raporton BBC, sugjeron se kompania mercenare mund të përpiqet të përfitojë nga bollëku i armëve në Mali. Vendi pa një fluks të madh armësh pas rënies së Muammar Gaddafit në Libi në vitin 2011, ndërsa mercenarët që luftonin për ish-udhëheqësin u kthyen në shtëpi.

Në fillim të këtij viti, SHBA e cilësoi Wagnerin si një organizatë kriminale ndërkombëtare. Prigozhin dhe udhëheqës të tjerë janë tashmë nën sanksione.

Përfshirja e Wagner në Afrikën Perëndimore i parapriu luftës në Ukrainë, por provat sugjerojnë se operacionet e tij nuk ishin më të suksesshme se ato të forcave të tjera.

Franca tërhoqi trupat e saj nga Mali shkurtin e kaluar, pas mosmarrëveshjeve me qeverinë ushtarake që mori pushtetin në 2020.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!