Mediu: Opozita s’duhet të presë, të ngrihet grup negociator për reformat

schedule15:27 - 6 Shtator, 2019

schedule 15:27 - 6 Shtator, 2019

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu kërkon që opozita të mos humbë kohë por të ulet me maxhorancën për të dhënë idetë e saj për reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi. Në një intervistë për ABC News, Mediu zbulon edhe kërkesat e aleatëve sa i takon reformës zgjedhore dhe përpjekjeve të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës. 

Platforma për daljen nga kriza që opozita prezantoi një ditë më parë mund të jetë edhe ura e parë e komunikimit mes maxhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës. Kreu i Republikanëve, Fatmir Mediu në një intervistë për ABC News kërkon që opozita të mos presë kur bëhet fjalë për reforma të rëndësishme si ajo zgjedhore por të ngrerë një grup negociator dhe të ulet në tryezë me shumicën.

Tentativat e ndërkombëtarëve nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë, por sipas Mediut ata më parë duan të shohin vullnetin e shqiptarëve për tu ulur në tryezë për zgjidhjen e krizës.

Leximin që kryeministri Rama i bën raportit të ODIHR për kreun e republikanëve është delirant, madje kur bëhet fjalë për delir Mediu nuk kursehet duke bërë një krahasim me Hitlerin.

Mediu ia lë historisë gjykimin mbi vendimin e opozitës për djegien e mandateve por duke bërë një reflektim për atë që ndodhi 7 muaj më parë thekson se Parlamenti është vendi ku duhen kryer vendimarrjet e rëndësishme.

Dokumenti përfundimtar i OSBE/ODIHR  mbi skanimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas Mediun duhet të jetë dosja e prezantimit të opozitës në çdo takim me ndërkombëtarët kur bëhet fjalë për t’i prezantuar aftësitë e qeverisë së Edi Ramës për të organizuar një proces zgjedhor. /ABC News Albania 24/7