Në prag të ndeshjesh ndaj Bylisit, trajerni i Tiranës, Orges Shehi, ka dhënë një konferencë për shtyp rreth kësaj sfide e cila është e vlefshme për javën e 35-të të Kategorisë Superiore.
“Është ndeshja e parafundit e kampionatit pas një rrugëtimi të gjatë dhe që të shkosh deri në fund duhet të kalosh dy pengesa. Një është e nesërmja na duhet të jemi gjakftohtë dhe të uritur për çdo situatë që mund të na sjellë loja duke e ditur që janë shumë pak minuta deri në fund. Nuk ka kohë për të rikuperuar gabimet, këto ditë kemi rikuperuar energji pas ngjeshjes së kampionatit dhe pjesa më e madhe e lojtarëve tanë, janë ata që hidhen në fushë.
Kështu rikuperim, përqëndrim dhe vlerësim për ndeshjen e nesërme. Ne do të bëjmë maksimumin dhe më të mirën, pastaj fati është i rëndësishëm kudo dhe jo vetëm në lojë. Por është gabuar që të shkosh në një betejë dhe t’ja lesh në dorë fatit. Tani ndeshjet janë afër, fokusi është përqëndrimi dhe nuk ka nevojë për të ulur impenjimin dhe seriozitetin, pasi për 5 ditë mund të marrim për atë çfarë kemi punuar në të gjithë vitin. Nuk duhet të mungojë serioziteti dhe gatishmëria në ditët e mbetura.
Gjendja është po e njëjtë, Lushkja mungon, për Behiratçen pritet të paguhet gjoba, dhe pjesa tjetër është e njëjtë si në ndeshjen e fundit. Edhe kundërshtari do të bëjë më të mirën e vet për tu ngjitur në renditje, ka kualitet në skuadër, presim ditën e nesërme për të shikuar se çfarë do të prodhojë fusha. Çdo skuadër ka objektiva, por ne shohim punën tonë. Ne e kemi në dorën tonë. Nuk di të ketë ndeshje të lehta, ne i dimë forcat dhe uljet e veta kështu që nuk mund të them kush ka përballje më të forta.
Ne jemi gjithmonë konkurrentë, por kemi pasur probleme me lojtarët, largime, dëmtime. Në fillim mendoja se do të ishte dhe Vllaznia afër nesh dhe nuk është një garë treshe por dyshe me dy skuadra që kanë investuar për të qenë këtu ku janë”, deklaroi ai./ h.ll/abcnews.al